Programi “Dyfisho sipërmarrjen tënde” ka dhënë rezultatet e para, pas interesit të lartë të shfaqur nga biznesi nëpërmjet aplikimit në platformën online.
MInistria e Ekonomisë dhe Inovacioniet, Delina Ibrahimaj ka bërë të ditur se janë 20 biznese me kërkesa të miratuara, 12 kontrata të nënshkruara dhe rreth 296 milionë lekë kredi të miratuara.
“Programi ‘Dyfisho sipërmarrjen tënde’ nisi nga një ide shumë e thejshtë: t’iu jepnim mundësi bizneseve që planin e tyre ta kthenin në një investim real. Kur lancuam thirrjen në muajin korrik, ishim të bindur që do të kishim shumë kërkesa. Por sot jemi në një moment tjetër, kemi rezultatet e para. Gjatë muajit gusht dhe ditët e para të shtatorit, 20 bizneseve iu ëhstë miratuar kërkesa për financim dhe 12 prej tyre iu është firmosur kontrata dhe tashmë, fondet janë në bankat e tyre. Por përtej shifrave, ajo që ka më shumë rëndësi është që këto investime kanë filluar në Lushnje, në Fier, në Berat, në Shkodër, në Vlorë dhe sigurisht në Tiranë. Ka biznese që po blejnë makineri të reja, po zgjerojnë aktivitetin, po investojnë në bujqësi, në prodhim, në transport apo në hoteleri. Ky është vetëm fillimi”, deklaroi Ibrahimaj
Ndërkohë janë me qindra biznese që kanë aplikuar dhe janë në pritje të miratimit të kredisë.
“Janë 800 aplikime për shprehje interesi, të cilat do të ndiqen me rigorozitet nga stafi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Invacionit, sepse pas cdo kërkesë ka një investim dhe pas cdo investimi ka një sipërmarrës që ka vendosur të eci përpara, të zgjerohet dhe të bëjë dicka më shumë për binesin e vet. Kjo është pikërisht ajo që ne duam të mbështesim”, u shpreh ministrja.
Cfarë është “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”?
Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” është një iniciativë e Qeverisë Shqiptare, në partneritet me sistemin bankar, e cila u krijon ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si edhe fermerëve, mundësi të reja financimi për të investuar, modernizuar dhe zgjeruar aktivitetin e tyre.
Programi ofron Garanci Sovrane deri në 70%. Norma e interesit është preferenciale 2–3% dhe financimi arrin deri në 200 milionë lekë për çdo përfitues.Gjithashtu, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ofron mbështetje nga ekspertë për hartimin e biznesplanit, I nevojshëm që banka të miratojë kredinë.
Si aplikohet?
Bizneset e vogla dhe të mesme tashmë mund të aplikojnë online për programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, përmes një platforme tërësisht të automatizuar të vënë në funksion nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Platforma e re synon të thjeshtojë procesin për bizneset që kërkojnë financim për zgjerimin, modernizimin apo rritjen e kapaciteteve të aktivitetit të tyre. Përmes portalit e-Albania, bizneset mund të shprehin interesin, të ndjekin statusin e aplikimit dhe të marrin asistencë gjatë përgatitjes së dokumentacionit.
Platforma e re e vendos këtë mbështetje në një proces të integruar online, duke i dhënë biznesit mundësinë të aplikojë, të ndjekë ecurinë e kërkesës së tij dhe të marrë asistencën e nevojshme përgjatë procesit. Por, si aplikohet?
Hyni në portalin e-Albania;
Kërkoni shërbimin “Shprehje interesi për “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde””;
Plotësoni të dhënat e kërkuara për biznesin dhe investimin e planifikuar;
Ndiqni online statusin e aplikimit dhe ecurinë e procesit.
“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” synon të krijojë më shumë mundësi për bizneset shqiptare që duan të investojnë, të zgjerojnë aktivitetin dhe të rrisin kapacitetet e tyre, ndërsa platforma e re lehtëson aksesin e tyre në këtë instrument financimi.








