Qytetarët dhe bizneset po iu drejtohen bankave për të realizuar projektet e tyre. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kreditimi ka shënuar rritje këtë vit, duke sinjalizuar për një ecuri pozitive të ekonomisë.
Vetëm gjatë muajit qershor, kredia e re për ekonominë arriti në 45.3 miliardë lekë, niveli më i lartë i regjistruar gjatë këtij viti. Që nga janari, huadhënia ka ardhur në rritje të vazhdueshme, duke reflektuar kërkesë më të lartë për financim nga bizneset dhe individët.
Motori kryesor i kësaj rritjeje mbeten bizneset. Në qershor, kompanitë përfituan mbi 30.4 miliardë lekë kredi të reja, duke sinjalizuar investime, zgjerim aktiviteti dhe nevoja për kapital qarkullues. Një tjetër prirje e evidentuar është orientimi gjithnjë e më i madh i bizneseve drejt kredive në lekë, ndërsa financimi në euro po përdoret më pak.
Edhe individët kanë shtuar huamarrjen. Kredia e re e disbursuar për qytetarët gjatë qershorit arriti në rreth 14.9 miliardë lekë, në rritje krahasuar me muajin maj.
“Tregjet financiare vijojnë të karakterizohen nga likuiditet i bollshëm, norma të ulëta interesi, si dhe një përqasje pozitive ndaj kreditimit. Këto kushte financiare janë pasqyruar në zgjerimin e shpejtë dhe me bazë të gjerë të kredisë për sektorin privat. Portofoli i kredisë shënoi një rritje vjetore prej 14% gjatë tremujorit të dytë, duke vijuar të ruajë orientimin e tij drejt financimit të projekteve të investimit të bizneseve dhe blerjes së banesave nga familjet. Kjo ecuri sugjeron se kredia bankare ka vijuar të mbështesë zgjerimin e konsumit dhe të investimeve të sektorit privat, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike”, deklaroi të mërkurën guvenatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Kreu i Bankës Qendrore vuri në dukje gjithashtu tendencën e bizneseve për të marrë kredi në lek dhe për të qenë kështu të mbrojtur nga luhatjet e kursit të këmbimit.
“Kreditimi i sektorit privat po shfaq një orientim të rritur drejt Lekut dhe vijon të ketë tregues të mirë cilësie, sikundër duket nga rënia e vazhdueshme e raportit të kredisë me probleme”, tha Sejko.
Bazuar në ecurinë e deritanishme të kreditimit, si dhe kërkesës së shtuar për hua nga bizneset dhe qytetarët, Banka e Shqipërisë parashikon se ekonomia do të vijojë rritjen.
“Përditësimi i parashikimeve të skenarit bazë sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të qëndrojë në një trajektore pozitive zhvillimi në të ardhmen”, u shpreh guvernatori.
Sipas vlerësimeve të institucionit mbikëqyrës bankar, rritja ekonomike do të ushqehet nga bilancet likuide të sektorit privat, ambienti i favorshëm financiar dhe pritjet për të ardhmen, si dhe të pasqyrohet në rritje të konsumit e të investimeve, si dhe të punësimit e të pagave në vend.








