114 mln euro do të investohen në sektorin energjetik përgjatë viteve në vijim. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi dhe ambasadori gjerman në vendin tonë firmosën marrëveshjet e financimit prej 90 mln euro kredi dhe 24 mln euro grant, teksa në një pronocim pas ceremonisë së nënshkrimit Karakaçi ndau projektet ku do të investohet.
Sipas ministrit projektet përfshijnë sistemin e transmetimit, hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe rikonstruksionin e godinave të konvikteve të Qytetit Studenti sipas parimeve të eficiencës së energjisë.
“Marrëveshja e parë lidhet me efiçencën e energjisë në sistemin e transmetimit. Bëjmë digjitalizimin e të gjithë sistemit të transmetimit, duke dhënë mundësi që të automatizojmë edhe të gjitha proceset që lidhen me ndërlidhjen e nënstacioneve dhe operimin energjetik. Marrëveshja tjetër lidhet me rehabilitimin e hidrocentralit të Vau të Dejës, një nga veprat tona energjetike publike më të rëndësishme, e cila përsëri, me ndihmën e KfW-së dhe qeverisë gjermane, ka angazhimin për t’u rehabilituar dhe tashmë kjo marrëveshje është në vijim të punës së mirë që është bërë deri më tani, përsëri me qeverinë gjermane dhe me KfW-në, për rehabilitimin e këtij hidrocentrali. Dhe marrëveshja e fundit, marrëveshja që lidhet me qytetin ‘Studenti’ dhe me rehabilitimin nën kuadrin e efiçencës së energjisë të konvikteve për studentët. Ka një grant 24 milionë euro nga qeveria gjermane me anë të KfW-së, për sa i përket këtyre ambienteve, që përsëri shkojnë në të mirën publike, shkojnë për studentët, për një jetë më të mirë, edhe proces të të nxënit më të mirë, por edhe për sa i përket kursimit energjetik, pasi të gjitha ambientet aty janë me efiçencë energjie”, – tha Karakaçi.
Ndërkaq, ambasadori gjerman vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Infrastrukuturës dhe Energjisë, ndërsa shtoi se investime të tilla bëhen për të përfituar populli shqiptar.
Këto nuk janë investimet e vetme të financuara nga KfW gjermane në sektorin energjetik, teksa fusha të tjera ku Gjermania ka dhënë mbështetje financiare janë menaxhimi i mbetjeve, trajtimi i ujëarave të ndotur, etj.








