Rritja e çmimeve po përjetohet nga të gjithë qytetarët e botës, për shkak të konfliketeve, si ai në Lindjen e Mesme. Por për shqiptarët, goditja është edhe më e fortë, për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave dhe peshës që ushqimi zë në buxhetin e një familjeve.
Më saktësisht, 39.6% e totalit të buxhetit të një familje mesatare në Shqipëri shkon vetëm për produkte ushqimore dhe pjesa tjetër, për nevojat e tjera të aktvitetit të përditshëm, si për banesën, transportin apo shëndetin.
Por në shtresa e varfra apo në kategori si pensionistët, kjo peshë rritet edhe më shumë dhe kap deri në 70 ose 80% të buxhetit total. Shifra e mësipërme tregojnë qartazi sesa më i varfër të jesh, aq më shumë ushqimet zënë pjesën më të madhe tek të ardhurat e tua dhe shumë pak ose aspak mbetet për gjëra të tjera.

Në këtë drejtim, shqiptarët rezultojnë shumë më të varfër se fqinjët e rajonit, që për tu ushqyer shpenzojnë mesatarisht vetëm 35% të buxhetit, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është 13%.

Në qershor inflacioni, treguesi që mat koston e jetesës në vend, kapërceu në 3.2% nga 2.4% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Inflacioni ka tejkaluar edhe objektivin prej 3% të vendosur nga Banka e Shqipërisë dhe ka shënuar nivelin më të lartë që nga janari 2024. Rritja e inflacionit është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i ushqimeve.
Cmimet e produkteve ushqimore në qershor u rriten me 3%, thuajse sa inflacioni i përgjithshëm. Një tjetër ndikim në rritjen e kostos së jetesës e kanë dhënë karburantet. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se nga 1.8 për qind në qershor 2025, muajin e shkuar çmimet për lëndët djegëse u rritën në 4.8 për qind, duke ndikuar edhe tek shpenzimet që qytetarët bëjnë për transportin.

Përballë rritjes së cmimeve, qeveria ka aplikuar bonuset, me fokus pensionistët, por jo një politikë gjithëpërfshirëse ndihmuese edhe shtresat e tjera të shoqërisë, duke ndikuar kështu edhe tek konsumi, një ndër elementët e rritjes ekonomike të vendit.







