Administrata Tatimore sjell sqarime për disa nga pyetjet më të shpeshta të tatimpaguesve mbi zbatimin e Ligjit të faljes (ligjin nr. 86/2025 për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore të papaguara).
Si mund të përfitoni nga masat lehtësuese të parashikuara në ligj? A përfshihen detyrimet e DIVA-s? Cilat janë afatet për pagesat? Si trajtohen deklaratat e padorëzuara? Çfarë ndodh me detyrimet që janë në proces ankimimi?
Disa nga pyetjet kryesore të subjekteve janë:
Kam marrë njoftim që nuk përfitoj nga Ligji i faljes. Ndërkohë, nuk jam dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe nuk jam në proces hetimi apo gjykimi për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore. Si të veproj për të përfituar?
Për rastin tuaj, duhet të paraqisni një kërkesë/ankesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, të shoqëruar me dokumentacionin provues si më poshtë:
- vërtetimin e gjendjes gjyqësore;
- vërtetimin e prokurorisë;
- vërtetimin e gjykatës;
- çdo dokument tjetër provues të lëshuar nga autoritetet kompetente.
A përfshihen detyrimet dhe gjobat e papaguara të DIVA-s në faljen e parashikuar nga Ligji nr. 86/2025 dhe cilat janë afatet dhe procedurat përkatëse?
Edhe detyrimet tatimore që rrjedhin nga Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave (DIVA) përfitojnë nga masat e fshirjes/shuarjes, sipas kushteve, kritereve dhe afateve të përcaktuara në Ligjin nr. 86/2025 dhe Udhëzimin nr. 11, datë 14.05.2026.
Procedura e trajtimit të këtyre detyrimeve është e njëjtë me procedurën e parashikuar për detyrimet e tjera tatimore që përfitojnë nga ky ligj.
Kam marrë njoftim që nuk përfitoj nga Ligji i faljes. Ndërkohë, për detyrimet e mia tatimore nuk ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të administratës tatimore. Si duhet të veproj për të përfituar?
Për rastin tuaj, duhet të paraqisni një kërkesë/ankesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, të shoqëruar me çdo dokument provues, përfshi vendim gjyqësor apo akt tjetër zyrtar që provon se për detyrimet e papaguara nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë dhënë në favor të administratës tatimore.
Jam në proces ankimi në Gjykatë për një detyrim tatimor të vitit 2023. A mund të tërhiqem nga ankimi për të përfituar nga fshirja ose shuarja e detyrimeve sipas Ligjit nr. 86/2025 dhe deri kur mund të përfitoj nga dispozitat e tij?
Po.
Nëse detyrimi tatimor për të cilin jeni në proces ankimi është objekt i fshirjes ose shuarjes sipas Ligjit nr. 86/2025, ju mund të përfitoni nga dispozitat e këtij ligji vetëm nëse hiqni dorë nga ankimi gjyqësor, në përputhje me kushtet dhe afatet e përcaktuara në ligj.
Paraqitja e aktit nga ana e subjektit do të kryhet me kërkesë zyrtare pranë DRT-së përkatëse, duke filluar nga data 10.06.2026, përpara kryerjes së pagesës së detyrimit principal, por jo më vonë se data 30.11.2026.
Kam detyrime tatimore të papaguara dhe deklarata të padorëzuara (15A dhe 19A). Si mund t’i dorëzoj deklaratat kur sistemi nuk lejon deklarimin për shkak të kalimit të afateve? A mund të përfitoj nga ligji i faljes dhe cilat janë afatet për aplikim dhe pagesë?
Për detyrimet tatimore që i përkasin periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019:
- Shuhet 50% e detyrimit principal, nëse 50% e mbetur paguhet njëherësh deri më 30.06.2026.
- Shuhet 25% e detyrimit principal, nëse 75% e mbetur paguhet deri më 31.12.2026.
Në të dyja rastet, gjobat dhe kamatëvonesat e lidhura me këto detyrime fshihen plotësisht.
Gjithashtu, fshihen gjobat për mosdeklarim ose deklarim të vonuar të deklaratave që i përkasin periudhave deri më 31.12.2024, me kusht që deklaratat e padorëzuara të dorëzohen deri më 30.06.2026.
Në lidhje me deklaratat që nuk mund t’i dorëzoni, ju lutemi t’i drejtoheni Drejtorisë Rajonale Tatimore ku jeni i regjistruar, për të marrë asistencën e nevojshme për trajtimin e rastit tuaj.
Çfarë veprimesh duhet të kryhen deri më 30 qershor 2026 për të përfituar nga masat lehtësuese të parashikuara në Ligjin nr. 86/2025?
Data 30 qershor 2026 është afati i fundit:
- për pagesën njëherësh të 50% të detyrimit principal, me qëllim përfitimin e fshirjes së 50% të detyrimit për periudhën tatimore 2015–2019. Gjobat dhe kamatëvonesat e lidhura me këto detyrime fshihen plotësisht;
- për dorëzimin e deklaratave të padorëzuara të periudhave deri më 31.12.2024, me qëllim përfitimin e faljes së gjobave për deklarim të vonuar.
Ku kryhen pagesat e principalit për të përfituar nga shuarja e gjobave dhe kamatëvonesave sipas Ligjit nr. 86/2025?
Pagesat kryhen pranë bankave të nivelit të dytë ose pranë Postës Shqiptare, duke përdorur urdhërpagesën e gjeneruar nga llogaria e tatimpaguesit në sistemin e-Filing.
Për të përfituar nga masat lehtësuese të parashikuara në Ligjin nr. 86/2025, ju duhet të verifikoni detyrimet tuaja në sistemin e-Filing dhe të kryeni pagesat përkatëse brenda afateve të përcaktuara.







