Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar një fond prej 2 milionë eurosh për subvencionimin e linjave ajrore që lidhin vendin me destinacionet kryesore të diasporës, një vendim që ka nxitur debat politik vetëm pak javë para zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.
Masa, e prezantuar në kuadër të programit “Mbështetja e Mërgatës”, synon të shmangë anulimin e fluturimeve gjatë sezonit veror për shkak të rritjes së kostove të karburantit. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, argumentoi se reduktimi i fluturimeve gjatë korrikut dhe gushtit do të kufizonte ardhjen e mërgimtarëve dhe do të dëmtonte ekonominë e vendit.
Sipas ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati raporton REL, kompanitë ajrore do të përfitojnë 3 euro për çdo pasagjer gjatë sezonit veror. Nga kjo shumë, 2.10 euro do të mbulohen nga Qeveria, ndërsa pjesa tjetër nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.
Për të përfituar subvencionet, operatorët duhet të ruajnë të paktën 85% të frekuencës së planifikuar të fluturimeve për vitin 2026 dhe të kenë mbi 80% të vendeve të zëna në çdo fluturim.
Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur se cilat linja do të subvencionohen konkretisht dhe si do të shpërndahet fondi prej 2 milionë eurosh mes kompanive ajrore.
Vendimi është kritikuar nga opozita dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat e konsiderojnë një lëvizje me motive elektorale. Sipas tyre, masa mund të synojë ndikimin te votuesit e diasporës, të cilët tradicionalisht kanë mbështetur në masë të madhe partinë në pushtet.
Nga ana tjetër, Kurti ka mohuar lidhjen e vendimit me zgjedhjet, duke argumentuar se efekti i skemës do të ndihet gjatë gjithë verës dhe jo në periudhën zgjedhore.
Aktualisht, në Aeroportin e Prishtinës operojnë kompani si GP Aviation, easyJet, Eurowings, Lufthansa, Turkish Airlines dhe Wizz Air. Deri tani, asnjë prej tyre nuk ka konfirmuar publikisht nëse do të aplikojë për subvencione.
Skema të ngjashme janë përdorur edhe në vende të tjera europiane, përfshirë Italinë, Suedinë, Norvegjinë dhe Maqedoninë e Veriut, për të mbështetur lidhjet ajrore dhe turizmin. Megjithatë, në nivel europian po zhvillohet një debat mbi efektivitetin e këtyre subvencioneve, me argumentin se fondet publike duhet të shoqërohen me kushte më të forta ekonomike dhe mjedisore./Business Mag







