Gjatë ditëve të fundit, ndërsa protestat kanë zënë një vend të rëndësishëm në debatin publik në Shqipëri, një diskutim paralel është zhvilluar edhe në rrjetet sociale. Disa krijues përmbajtjeje kanë ngritur shqetësimin se postimet e tyre të lidhura me protestat, pakënaqësinë qytetare apo komentet mbi zhvillimet politike kanë pasur dukshëm më pak shikueshmëri dhe angazhim krahasuar me periudha të tjera.
Disa prej tyre pretendojnë se videot nuk janë shpërndarë normalisht nga platformat, ndërsa të tjerë raportojnë raste kur ndjekësit e tyre nuk kanë mundur t’i gjejnë ose t’i shohin postimet në rrjedhën e zakonshme të përmbajtjes. Këto pretendime kanë ngritur pyetje që nuk kufizohen vetëm te performanca e një videoje apo një profili të caktuar, por prekin një debat më të gjerë mbi transparencën e platformave digjitale dhe ndikimin e algoritmeve në informacionin që arrin tek publiku.
A kemi të bëjmë me kufizime të qëllimshme të përmbajtjes? Me mekanizma automatikë moderimi? Apo thjesht me mënyrën se si funksionojnë algoritmet e TikTok-ut, Instagram-it dhe platformave të tjera sociale?
Për të kuptuar më mirë këtë fenomen, BusinessMag bisedoi me krijuesin e përmbajtjes Ylber Shehu, i cili ka raportuar një eksperiencë të tillë gjatë ditëve të protestave, si dhe me eksperten e sigurisë kibernetike Nadia Elbasani, për të sqaruar aspektin teknik të funksionimit të algoritmeve dhe moderimit të përmbajtjes.
Ylber Shehu: “Kur videot nga terreni nuk arrijnë tek publiku, lind nevoja për transparencë”
Sipas Ylber Shehut, ndryshimi në performancën e përmbajtjes së tij nisi pikërisht në momentin kur filloi të publikonte video nga protestat dhe të komentonte zhvillimet që po shoqëronin ato.
“Gjatë ditëve të protestave kam vënë re një fenomen që më ka shqetësuar seriozisht si qytetar dhe si krijues përmbajtjeje. Pikërisht në momentin kur fillova të publikoj video nga protestat, si dhe të shpreh mendimin tim mbi organizimin e koncerteve dhe aktiviteteve festive në një periudhë kur mijëra qytetarë po kërkonin të dëgjoheshin, përmbajtja ime nisi të përballej me kufizime të pazakonta”, shprehet ai.
Sipas tij, video që zakonisht arrinin dhjetëra mijëra njerëz humbën papritur shtrirjen, ndërsa disa materiale nga protestat u bllokuan ose nuk u shfaqeshin ndjekësve.
“Shumë njerëz më shkruanin se nuk mund t’i gjenin videot ose se ato nuk u dilnin fare në rrjedhën e përmbajtjes së tyre.”
Megjithatë, Shehu tregohet i kujdesshëm në interpretimin e situatës dhe nuk pretendon të ketë prova për shkaqet e fenomenit.
“Nuk pretendoj të di se kush e ka shkaktuar këtë dhe as të jap përgjigje që duhet t’i japin të tjerët. Por një pyetje mbetet: pse kufizimet shfaqen pikërisht kur përmbajtja flet për protesta, pakënaqësi qytetare dhe kërkesë për ndryshim?”
Për të, çështja lidhet me nevojën për më shumë transparencë në mënyrën se si funksionojnë platformat sociale.
“Në çdo demokraci të shëndetshme, protestat janë zëri i qytetarëve dhe rrjetet sociale janë një nga mjetet kryesore për ta përcjellë atë zë. Kur ky zë fillon të humbasë rrugës, kur videot nga terreni nuk arrijnë tek publiku dhe kur përmbajtja kritike trajtohet ndryshe nga ajo e zakonshme, atëherë lind nevoja për të kërkuar transparencë.”
Ai shton se do të vazhdojë të publikojë përmbajtjen që konsideron me interes publik.
“Unë do të vazhdoj të publikoj atë që shoh dhe atë që mendoj. Sepse e drejta për të folur nuk është privilegj. Është një nga themelet e çdo shoqërie që pretendon të jetë e lirë.”
Çfarë thotë ekspertiza teknike?
Përtej perceptimeve dhe eksperiencave individuale, pyetja kryesore mbetet nëse ekziston realisht mundësia që përmbajtja e lidhur me protesta apo tema politike të kufizohet nga algoritmet e platformave.
Sipas ekspertes së sigurisë kibernetike Nadia Elbasani, përgjigjja është më komplekse sesa një po ose jo.
“Teorikisht ekziston mundësia që përmbajtje të caktuara të kenë shpërndarje më të kufizuar, por është e rëndësishme të kuptohet se kjo nuk do të thotë automatikisht censurë politike”, shpjegon ajo.
Sipas Elbasanit, algoritmet e TikTok-ut dhe Instagram-it nuk funksionojnë si redaktorë njerëzorë që vendosin cilat ide duhet të promovohen dhe cilat të fshihen.
“Ato janë sisteme matematikore që analizojnë sjelljen e përdoruesve, ndërveprimet, kohën e shikimit dhe sinjale të tjera për të vendosur se çfarë përmbajtjeje do t’u shfaqet njerëzve.”
Megjithatë, ajo thekson se platformat zbatojnë politika moderimi për kategori të caktuara të përmbajtjes, veçanërisht për tema që konsiderohen sensitive.
“Dhuna, dezinformimi, gjuha e urrejtjes, konfliktet dhe protestat janë ndër temat që monitorohen më nga afër nga platformat. Në raste të caktuara, kjo mund të ndikojë edhe në shpërndarjen e videove politike ose të lidhura me protesta.”
Rasti shqiptar dhe nevoja për transparencë
Sipas Elbasanit, në Shqipëri ky debat merr një dimension shtesë për shkak të historikut të TikTok-ut.
“Platforma u bllokua për rreth një vit me vendim qeveritar dhe më pas u rikthye pas komunikimeve mes autoriteteve dhe kompanisë. Pikërisht këtu lind nevoja për transparencë. Nëse ka pasur dakordësi apo ndryshime që prekin mënyrën e trajtimit të përmbajtjes, qytetarët kanë të drejtë të informohen.”
Ajo shton se në epokën digjitale algoritmet nuk ndikojnë vetëm në argëtimin apo konsumimin e përmbajtjes, por edhe në mënyrën se si qytetarët informohen dhe krijojnë opinionin e tyre publik.
Kur një video merr pak shikime, a është kjo provë e censurës?
Sipas ekspertes, jo domosdoshmërisht.
Në shumicën e rasteve, performanca e dobët e një videoje mund të ketë shpjegime krejt normale teknike.
Një video mund të mos arrijë audiencën e zakonshme sepse nuk arrin të mbajë vëmendjen e përdoruesve në sekondat e para, publikohet në një moment me konkurrencë të lartë për vëmendje, nuk gjeneron ndërveprime të mjaftueshme ose trajton një temë për të cilën algoritmi nuk identifikon interes të lartë publik.
“Platformat favorizojnë vazhdimisht kreativitetin dhe risinë. Kjo është arsyeja pse dy video pothuajse identike mund të kenë rezultate krejt të ndryshme. Njëra mund të bëhet virale, ndërsa tjetra të mos arrijë audiencë të konsiderueshme.”
Për këtë arsye, Elbasani paralajmëron se performanca e dobët nuk duhet të barazohet automatikisht me censurën.
“Një përfundim i tillë kërkon prova konkrete. Teknikisht duhet të dallojmë mes rënies normale të performancës, kufizimit të shpërndarjes nga vetë platforma dhe ndërhyrjes së qëllimshme mbi dukshmërinë e një përmbajtjeje.”
Si mund të verifikohet nëse ka kufizim të shikueshmërisë?
Sipas ekspertes, hapi i parë është analiza e të dhënave.
Krijuesit duhet të krahasojnë statistikat e videove aktuale me ato të përmbajtjeve të ngjashme të publikuara më parë dhe të vëzhgojnë nëse rënia e angazhimit është e përgjithshme apo prek vetëm tema të caktuara.
“Nëse ka një rënie të përgjithshme të angazhimit në të gjitha postimet, kemi të bëjmë më shumë me ndryshime normale të algoritmit ose të interesit të audiencës. Nëse një temë specifike performon vazhdimisht shumë më dobët se përmbajtjet e tjera, atëherë mund të lindin pikëpyetje që kërkojnë analizë më të thelluar.”
Ajo thekson gjithashtu se algoritmet mund të ndikohen edhe nga sjellje artificiale në platformë.
“Profile të rreme ose të hapura rishtazi mund të krijojnë ndërveprime të koordinuara që e bëjnë algoritmin të perceptojë një interes që në realitet nuk ekziston. Algoritmi nuk dallon të vërtetën apo interesin publik; ai lexon vetëm sinjale sjelljeje.”
Pavarësisht nëse bëhet fjalë për kufizime algoritmike, moderim automatik apo thjesht për mënyrën se si funksionojnë platformat moderne, shqetësimi i ngritur nga disa krijues përmbajtjeje ka rikthyer në vëmendje një debat që po zhvillohet në shumë vende të botës, sa transparencë kanë qytetarët mbi mënyrën se si algoritmet ndikojnë informacionin që ata shohin çdo ditë?
Ajo që duket e qartë është se në një kohë kur një pjesë e madhe e debatit publik zhvillohet në rrjetet sociale, mënyra se si funksionojnë algoritmet nuk është më vetëm një çështje teknologjie. Është një çështje që prek informimin, transparencën dhe vetë cilësinë e debatit demokratik.
Siç shprehet edhe Nadia Elbasani, “pushteti digjital është pushtet real”. Dhe pikërisht për këtë arsye, të kuptuarit e mënyrës se si funksionojnë platformat është sot më i rëndësishëm se kurrë./Business Mag







