Kërkesat e larta të tregut të punës për zanate kanë ngjallur interesin e të rinjve. Ka arritur në 910 numri i nxënësve në arsimin e mesëm professional, të regjistruar në Shkollën Teknike Ekonomike.
Bëhet fjalë për kualifikime, si Ekonomi-Biznes; Administrim Biznesi; Menaxhim i Furnizimit dhe Logjistikës – dual; E-commerce – dual; Tekstil-Konfeksione – Galanteri dhe Modelim. Ndërsa në programet pas të mesme, 52 nxënës ndjekin kualifikimet Dizenjim Mode dhe Ndërmjetësim i Pasurive të Paluajtshme.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj vizitoi Shkollën Teknike Ekonomike në celje të këtij viti shkollor dhe u takua me të rinjtë.
Për herë të parë në Shkollën Teknike Ekonomike dhe në Shqipëri, këtë vit hapet kualifikimi Tregti Elektronike (E-commerce), me një kurrikulë të hartuar së bashku me përfaqësues të biznesit, bazuar në nevojat e tregut të punës.
Një tjetër risi është hapja e kualifikimit Galanteri, që do të përgatisë profesionistë për nevojat e këtij sektori.







