Gati një vit nga nisja e prodhimit të pullave fiskale për mallrat e akcizës prej kompanisë shtetërore “ALBTrace”, pullat e reja që do të hidhen së fundmi në treg do të jenë të pajisura me sistemin e gjurmueshmërisë.
Ministri i Financave Petrit Malaj pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë njoftoi se përveç sistemit të gjurmueshmërisë, te pullat fiskale do të ketë edhe një bar kod që do të mundësojë që përmes skanimit konsumatori të informohet për sigurinë ushqimore të produktit që konsumon.
“Propozimet që ne sjellim janë disa risi në fakt sepse pullat e reja që do të hidhen në qarkullim kanë dy elementë:
Së pari rriten elementët e sigurisë, që e bëjnë të pamundur ose ulin mundësinë e falsifikimit të tyre.
Nga ana tjetër do të zhvendosim edhe teknologjinë Track & Trace në pullat fiskale, duke i dhënë mundësinë autoriteteve si tatimore dhe doganore që të ndjekin produktet që nga prodhuesi ose importuesi deri te konsumatori i fundit.
Nga ana tjetër, një risi tjetër e pullave të reja fiskale do të jetë dhe bar kodi që do të vendosim në këto pulla fiskale, ku konsumatorët do të kenë mundësinë që të ndërveprojnë me produktin e akcizës.
Nëpërmjet bard kodit, nëpërmjet një telefoni, do të mund që të skanojnë pruduktin dhe të marrin informacion se kush është prodhuesi, kush është importuesi, kush është data në të cilën ka hyrë produkti në Shqipëri dhe informacione të tjera që mund të jenë në dobi, dhe vijnë natyrisht edhe në dobi të sigurisë ushqimore.
Siç e dini, këto pulla fiskale tashmë prej më shumë se sa një viti prodhohen nga kompania shtetërore ALBTrace, prodhohen me një kosto që është 20 % më lirë se sa prodhoheshin nga koncesionari i mëparshëm.
Pra, ndryshimet që ne propozojmë janë propozime të cilat janë në linjë me përafrimin e standardeve të Bashkimit Europian dhe nga ana tjetër padiskutim na përmirësojmë cilësinë e administrimit fiskal, por edhe rrisin sdandardet e sigurisë ushqimore në vend”, pohoi Malaj.
Prodhimi i pullave fiskale për mallrat e akcizës nga kompania shtetërore ka nisur nga mujai mars 2025, pas përfundimit të kontratës koncensionare me kompaninë “SICPA Security Solutions Albania sh.p.k”.
Për një periudhë mbi 10 vjeçare nga 2011 deri në 2024 prodhimi i i pullave fiskale u krye nga shoqëria koncesionare sipas kontratës së koncesionit “Për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave” të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave, si Autoritet Kontraktues dhe shoqërive “SICPA Security Solutions S.A” dhe “SICPA Security Solutions Albania sh.p.k” të miratuar me ligjin nr. 10381, datë 24.02.2011, i ndryshuar me ligjin nr. 17, datë 16.02.2023.
Me përfundimin e kësaj kontrate, gjatë vitit 2024 u ndërmorën ndryshimet e nevojshme ligjore për ngarkimin e Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë, që vetë, ose nëpërmjet një shoqërie të krijuar prej saj, të mund të kryejë prodhimin dhe kontrollin e pullave fiskale.
Po ashtu prej muajit mars 2025 çmimet e pullave fiskale janë 20 deri 25% më të ulëta sesa çmimi i pullave që prodhoheshin nga koncensionari.
Sipas vendimit “Për përcaktimin e elementeve të sigurisë dhe çmimit të pullave fiskale” që nisi zbatimin nga muaji mars 2025 çmimi i pullës fiskale për birrat është 17.22 euro për 1 mijë copë nga 22 euro për 1 mijë copë që bizneset i paguanin kompanisë koncensionare “Sicpa Security Solutions” Albania, sh.p.k. Ulja e tarifës është 20%.
Për produktet e tjera të mallrave të akcizës, si duhan çmimi është 15.65 euro për një mijë copë nga 21 euro për 1 mijë copë që paguhej. Ulja është 25% krahasuar me çmimin e mëparshëm.
Për alkoolin tarifa e pullës fiskale është 25.05 euro për një mijë copë nga 32 euro që paguhej më parë. Ulja është 16.5% nga çmimi i mëparshëm.
Për verën tarifa për 1 mijë pulla fiskale do të jetë 25.04 euro.








