Ka përfunduar fuqizimi i nënstacionit elektrik të Golemit, i cili ka kaluar nga 31.5 megavat në 80 megavat tashmë dhe furnizon të gjithë zonën e Bregut nga Golemi e deri në pikën që kufizohet në Qerret.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi ishte në Golem për të vizituar nënstacionin i cili ka pak kohë që është vënë në funksion e sipër dhe që me kapacitetet e shtuara, do i përgjigjet edhe më mirë të gjitha ndërtimeve të shumta në atë zonë.
“Ky në fakt është një nënstacion i ri, tek i cili kemi dyfishuar kapacitetin, duke i dhënë një zgjidhje pothuajse përfundimtare të 50 mijë banorëve që furnizon ky nënstacion, duke përfshirë edhe zonat turistike si Mali i Robit, Golemi, por që shkon deri në Qerret për furnizim, por ndërkohë ne nuk jemi ndalur vetëm me këtë nënstacion, pasi OSHEE ka një plan masash edhe për vitin 2026 për këtë zonë”, tha Ministri.
Ka nisur gjithashtu procesi i fuqizimit të nënstacionit të Porto Romanos, i cili do të kalojë nga 50 megavat në gati 100 megavat, ndërsa ekziston edhe një plan për fuqizimin e rrjetit të Spillesë në 20 kilovolt.
“Ne kemi patur gjatë këtyre viteve të shkuara një shqetësim për sa i përket zonës së Spillesë, të cilën vitin e shkuar dhe ne e përfundojmë gjatë kësaj periudhe, ne kemi mbyllur fazën e parë të investimit aty. Është një investim i rëndësishëm, pasi prek zonën ku ne kemi patur probleme pak më të shumta në pjesën bregdetare që kap kjo zona e Adriatikut, por OSHEE ka plan investimesh për ta vijuar në një fazë të dytë këtë investim dhe për të shkuar edhe më tej”, u shpreh Karakaçi.
Sipas Ministrit, të gjitha këto investime janë të rëndësishme jo vetëm për standardet tona, për uljen e humbjeve, por janë të rëndësishme edhe për ti dhënë një siguri dhe një standard furnizmi shumë të mirë të gjithë banorëve të zonës.








