Edhe kallaji arrin një kulm të ri, ndërsa metalet zgjasin ecurinë e fortë të kohëve të fundit
Çmimet e arit, argjendit, bakrit dhe kallajit kapërcyen nivele rekord, teksa shqetësimet për një ndërhyrje ushtarake të SHBA-së në Iran dhe për pavarësinë e Rezervës Federale ndihmuan në zgjatjen e rritjeve të tyre të fundit dramatike.
Ari, i cili është dyfishuar në çmim në më pak se dy vjet dhe që tashmë është rritur me 8% që nga fillimi i këtij viti, u rrit deri në 1.1%, duke arritur një rekord të ri prej 4,641 dollarësh për ons, teksa investitorët kërkuan asete të sigurta. Argjendi kaloi për herë të parë pragun e 90 dollarëve, duke u rritur deri në 6% në 92.24 dollarë.
Bakri dhe kallaji, të cilët kanë qenë në rritje të fortë gjatë muajve të fundit, arritën gjithashtu nivele të reja rekord, përkatësisht 13,407 dhe 54,760 dollarë për ton.
“Gjërat po lëvizin kaq shpejt, sa çmimet po tejkalonë parashikimet e të gjithëve”, tha Helen Amos, analiste në BMO. “Shpejtësia e lëvizjes, veçanërisht për argjendin, kallajin dhe bakrin, po i bën investitorët institucionalë mjaft nervozë.
“Nuk ka asnjë precedent që mund të mbaj mend në 20 vjet që të katër metalet të arrijnë kulmin në të njëjtën kohë”, shtoi Amos.
Kulmet e rralla të njëkohshme pasqyrojnë shqetësimet e investitorëve për rritjen e tensioneve globale, më pak se një javë pasi SHBA-ja kapi presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro.
Protesta të gjera në Iran, së bashku me komentet e presidentit amerikan Donald Trump, i cili sugjeroi se Amerika do t’i ndihmonte protestuesit përballë një goditjeje brutale, kanë ushqyer spekulimet për një ndërhyrje ushtarake amerikane atje.
“Kjo është tashmë një tregti globale e bazuar në vrullin e momentit, jemi në territor të panjohur”, tha Tom Price, analist në Panmure Liberum, duke shtuar se ishte e rrallë që metalet bazë të nxiteshin nga shqetësime gjeopolitike.
“Për bakrin dhe kallajin, kjo nuk ka asnjë lidhje me faktorët e tyre tradicionalë, me ofertën dhe kërkesën”, tha ai.
Ndërkohë, shqetësimet e investitorëve për pavarësinë e Rezervës Federale të SHBA-së janë shtuar pasi kryetari i saj, Jay Powell, tha gjatë fundjavës se prokurorët amerikanë kishin nisur një hetim penal ndaj tij lidhur me rinovimin e selisë së bankës qendrore.
Powell tha se akuzat ishin një “pretekst” për të kufizuar pavarësinë e Fed, në mes të presionit të vazhdueshëm nga Shtëpia e Bardhë për të ulur normat e interesit.
Hetimi ndaj Powell “po përshkallëzon pasigurinë” dhe po krijon një “shtysë afatgjatë” për arin dhe argjendin, tha Rhona O’Connell, analiste në StoneX.
Shqetësimet për tarifat amerikane mbi bakrin dhe argjendin kanë krijuar gjithashtu një grumbullim të pazakontë të metalit fizik brenda vendit, me stoqe shumë më të larta se mesataret historike. Më shumë qartësi mbi tarifat e mundshme për mallrat pritet në ditët në vijim, kur SHBA-ja të publikojë përfundimet e hetimit sipas Seksionit 232 mbi mineralet kritike.
Kallaji është rritur ndjeshëm muajt e fundit, pasi mbyllja e një miniere të madhe në Mianmar ka ulur prodhimin global.
Platini gjithashtu është përfituar nga rritja e përgjithshme e metaleve, duke arritur një nivel të ri të lartë prej 2,478 dollarësh për ton më 29 dhjetor. / FT







