Institucionet publike kanë kryer shkelje financiare, të cilat i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 2 milionë eurosh.
Referuar raportit mbi Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik të Ministrisë së Financave, përgjatë vitit 2024 janë evidentuar gjithsej 7,256 gjetje që lidhen me shkelje proceduriale, devijime dhe dobësi në sistemet e administrimit të pronës publike, prokurimeve, pagesave, shpërblimeve, menaxhimit të aseteve, sistemit të tatim-taksave, si dhe në fusha të tjera përkatëse të veprimtarisë së njësive publike.
Auditimi i brendshëm, megjithëse nuk ka si funksion parësor zbulimin e të gjitha shkeljeve, luan një rol të rëndësishëm në identifikimin e dobësive sistemike dhe parregullsive që mund të sjellin pasoja financiare për institucionet publike.
Gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, auditimi i brendshëm ka evidentuar një sërë gjetjesh që kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në buxhetin e shtetit, duke përfshirë keqmenaxhimin e fondeve, mungesën e kontrolleve të brendshme efektive dhe zbatimin jo të plotë të procedurave ligjore dhe financiare.
Vëmendje të veçantë në raportimin e rezultateve, audituesit e brendshëm i kanë kushtuar shkeljeve të disiplinës financiare, me efekte negative në buxhet.
Struktura e efektit financiar negativ të shkaktuar identifikon peshën specifike më të madhe, në rreth 31.3%, tek sistemi i tatim-taksave dhe doganave, po ashtu në rreth 29.2%, zëra të tjera sipas fushave të përgjegjësisë së njësisë publike, në sistemin paga, shpërblime dhe komisione rreth 9.45%.
Konkretisht dëmi i gjetur në sistemin tatim taksa është rreth 60 milionë lekë, në paga e shpërblime 18 milionë lekë, në prokurim blerje dhe invbestime 16.4 milionë lekëm, në administrim prone dhe pasuri, 14.7 milonë lekë si dhe privatizime, shitje dhe qiradhënie 15.9 milionë lekë.
Për vlerën e efektit negativ të shkaktuar është kërkuar rikuperimi i shumës dhe ndjekja e arkëtimit deri në zhdëmtimin e plotë.
Këto gjetje tregojnë për nevojën e forcimit të mekanizmave të kontrollit dhe të llogaridhënies në administratën publike, me qëllim mbrojtjen dhe përdorimin e drejtë të fondeve publike.
Krahas kërkesave për rekuperim, vëmendje i është kushtuar dhënies së rekomandimeve për forcimin e kontrolleve dhe procedurave me qëllim parandalimin e përsëritjes së këtyre rasteve në të ardhmen./Tv Scan