Nga Aurora Sulce, Producente Ekzekutive për Biznesin në A2 CNN
Të dhënat zyrtare tregojnë për rënie të papunësisë në vend, një lajm i mirë për ekonominë. Por kjo vetëm në pamje të parë, pasi analiza e detajuara e shifrave ilustrojnë një tjetër realitet.
Sipas Institutit të Statistikave, papunësia zbriti në fund të vitit të kaluar në 8.8%, niveli më i ulët i viteve të fundit.
Por a tregon kjo shifër numrin real të të papunëve në Shqipëri?
Në fakt jo dhe kjo për tre arsye qe nuk janë marrë parasysh në shifrën zyrtare të INSTAT: E para pakësimi i popullsisë nga emigrimi bën që në vend të ketë më pak të papunë dhe rrjedhimisht, papunësia të bjerë. E dyta, jo të gjithë të papunët i drejtohen zyrave të punësimit për t’u regjistruar. Kjo do të thotë se kemi një papunësi informale, e cila nuk llogaritet. Faktori i tretë është gjendja me fshatin. Sipas ligjit, cdo person që jeton në fshat dhe zotëron një ngastër toke quhet i vetëpunësuar, pavarësisht nësë e punon atë apo nxjerr të ardhura prej saj.
Papunësia në Shqipëri është më e ndjeshme tek gratë sesa tek burra dhe kryesisht tek të rinjtë.
Sipas të dhënave, 82.2% e meshkujve punojnë sot, përkundrejt 69.1% të grave. Por këto të fundit janë të angazhuara edhe në punët në familje, për mbarëvajtjen e shtëpisë dhe fëmijëve, në atë që njihet si punë e papaguar. Ndërsa shkalla e papuënsisë tek të rinjtë e moshës 15-29 vjec arrin në 19.1%, cka tregon se të rinjtë përballen me sfida të vazhdueshme për gjetjen e vendeve të qëndrueshme të punës.
Si manifestohet mungesa e punëtorëve në treg dhe cilat janë ato industri që e ndjejnë më shumë?
Thuajse të gjitha degët e ekonomisë po përballen me krizën e burimeve njerëzore. Më problematike është situata në sektorët e turizmit; shërbimeve; prodhimit; bujqësisë dhe ndërtimit.
Importimi i punëtorëve nga jashtë nuk rezultoi një eksperiment i suksesshëm, pasi të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri përbëjnë vetëm 1% të totalit të kërkesave të tregut për punëtorë. Kjo do të thotë se shumë industri, përfshi administratën publike mbeten “zbuluar” dhe në vështirësi.