Studimi i Harvardit mbi zhvillimin e të rriturve është një nga studimet më të gjera dhe më të thella që është kryer ndonjëherë, dhe ka kërkuar ti përgjigjet një pyetjeje themelore që na prek të gjithëve: Çfarë e bën jetën të mirë?
Kur pyeten se çfarë mendojnë se do t’i bënte më të lumtur, shumica e njerëzve mund të priren të përgjigjen paratë ose fama. Megjithatë, kjo nuk rezultoi të ishte e vërtetë në këtë studim.
Njerëzit që janë më të lumtur dhe më të shëndetshëm kanë lidhje të forta dhe mbështetëse me familjen, miqtë dhe komunitetin e tyre. Këto marrëdhënie ofrojnë mbështetje emocionale, përmirësojnë mirëqenien mendore dhe madje mbrojnë kundër dobësimit të shëndetit fizik. Studimi thekson se nuk ka të bëjë vetëm me numrin e marrëdhënieve, por me kultivimin e atyre që janë të thella, të besueshme dhe të sigurta.
“Zbulimi i befasishëm është se marrëdhëniet tona dhe sa të lumtur jemi në to kanë një ndikim të fuqishëm në shëndetin tonë,” tha Robert Waldinger, drejtori i studimit, një psikiatër në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts dhe profesor i psikiatrisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit. “Të kujdesesh për trupin tënd është e rëndësishme, por të kujdesesh për marrëdhëniet e tua është gjithashtu një formë kujdesi për vetveten. Ky është, mendoj, zbulimi.”
Sipas studimit, gjërat që i bëjnë njerëzit më të lumtur janë:
- Marrëdhënie të forta dhe mbështetëse:Kualiteti është më i rëndësishëm se sa sasia; të kesh lidhje të besueshme dhe mbështetje emocionale.
- Qëndrueshmëri emocionale dhe perspektivë pozitive: Aftësia për të përballuar stresin dhe të shohësh sfidat si mundësi për rritje.
- Zgjedhje të shëndetshme të stilit të jetesës: Mbajtja e shëndetit fizik përmes ushtrimeve të rregullta, një diete të balancuar, shmangia e duhanit dhe moderimi i konsumit të alkoolit.
- Angazhimi social dhe përfshirja në komunitet: Të jesh aktiv në rrjetet sociale dhe aktivitetet e komunitetit.
- Punë dhe pension aktiv: Të gjesh kuptim në punën tënde dhe ta mbash angazhimin aktiv edhe pas daljes në pension.
- Përvoja në fillim të jetës: Një ambient mbështetës në fëmijëri ndihmon në krijimin e marrëdhënieve dhe mirëqenies më të shëndetshme si të rritur.
- Reflektim të rregullt mbi “fitnesin social”: Vlerësimi dhe kujdesi për marrëdhëniet e rëndësishme në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë jetës.
Studimi ka filluar në vitin 1938 gjatë Depresionit të Madh, duke ndjekur shëndetin dhe mirëqenien e 268 studentëve të Harvardit. Pas më shumë se 85 vjetësh, studimi është zgjeruar për të përfshirë jetën e mijëra individëve dhe ka zbuluar një të vërtetë të thjeshtë por të fuqishme: cilësia e marrëdhënieve tona është faktori më i rëndësishëm për të përcaktuar lumturinë dhe jetëgjatësinë tonë.
Fillimisht, studimi përfshinte 268 djem të rinj nga Harvardi, me synimin për të kuptuar faktorët që kontribuojnë në një jetë të shëndetshme dhe të lumtur. Ndërkohë që bota ishte e ndryshme, studimi fillestar përfshinte matjet antropometrike, analizën e aftësive intelektuale dhe tiparet e personalitetit. Mes pjesëmarrësve të origjinës ishin disa emra të njohur, si Presidenti i ardhshëm John F. Kennedy dhe redaktori i Washington Postit, Ben Bradlee.
Me kalimin e kohës, studimi është fokusuar në marrëdhëniet dhe lidhjet sociale si komponente kyçe të një jete të gjatë dhe të shëndetshme. Në vitet 1970, kërkimi është zgjeruar për të përfshirë 456 banorë të qytetit të Bostonit, duke ofruar një perspektivë më të gjerë socio-ekonomike. Sot, mbi 1,300 pasardhës të pjesëmarrësve të origjinës janë pjesë e këtij studimi të vazhdueshëm, duke ofruar të dhëna mbi ndikimin e përvojave të fëmijërisë në shëndet dhe plakje përmes brezave.
Të dhënat tregojnë se individët më të lidhur me familjen, miqtë dhe komunitetin jetojnë më gjatë dhe më të lumtur se ata që janë më pak të lidhur. Një gjetje tjetër e rëndësishme është ndikimi negativ i vetmisë, e cila mund të jetë po aq e dëmshme sa duhani ose alkooli. Ata që ndiheshin të vetmuar ishin më të prirur për të përjetuar rënien e shëndetit fizik dhe mendor dhe kishin një rrezik më të lartë të vdekjes të parakohshme.
Waldinger theksoi këtë pikë në një TED Talk të njohur, ku shpjegoi: “Kur mblodhëm gjithçka që dinim për ta në moshën 50 vjeçare, nuk ishin nivelet e kolesterolit që parashikonin se si do të plakeshin. Ishte kënaqësia dhe cilësia në marrëdhëniet e tyre sociale.”
Ndërsa marrëdhëniet dhe mentaliteti janë kyç, Studimi i Harvardit gjithashtu tregon rëndësinë e zgjedhjeve të shëndetshme të stilit të jetesës. Të dhënat tregojnë se mbajtja e një peshe të shëndetshme, qëndrimi fizikisht aktiv dhe shmangia e duhanit dhe konsumit të tepruar të alkoolit janë parashikues të rëndësishëm të një jete të gjatë dhe të lumtur.
Studimi gjithashtu ka prezantuar konceptin e “fitnesit social,” i cili përfshin vlerësimin e rregullt të marrëdhënieve dhe sigurimin që ato janë të shëndetshme dhe të balancuara. Ashtu siç është e nevojshme të jesh i angazhuar në fitnesin fizik, fitnesi social kërkon përpjekje dhe angazhim.
Mësimet e Studimit të Harvardit janë veçanërisht të rëndësishme në botën e sotme të shpejtë dhe të orientuar nga teknologjia. Edhe pas më shumë se tetë dekadash, studimi vazhdon të evoluojë dhe të zgjerohen, duke përfshirë mbi 1,300 pasardhës të pjesëmarrësve të origjinës dhe duke eksploruar fusha të reja si ndikimi i teknologjisë në marrëdhënie dhe roli i politikave sociale në cilësinë e jetës.
Waldinger shpreson të zgjerojë studimin për të përfshirë brezat e tretë dhe të katërt, duke njohur se ky kërkim i vazhdueshëm ofron një mundësi të veçantë për të thelluar kuptimin tonë për zhvillimin njerëzor përmes brezave.