“Do ta rekomandoja të mendoje dhe skemën e pensionit privat sa nuk je vonë. Skema publike nuk do të ketë mundësi edhe për shkak të 100 faktorëve”. Ka qenë kjo një ndër sugjerimet që ka bërë ish-ministri i Financave Arben Malaj në një intervistë për A2 CNN.
“Pensioni privat shikohet si suplementar, skema publike do të funksionojë se e garanton shteti”, shtoi ai.
Përmes kalkulimit të shifrave, Malaj tregoi problemet e kësaj skeme të pensioneve, që sipas tij është deficitare.
“Skema ka probleme është deficitare. Shqetësimi ynë është që deficiti është shumë i madh. Deficiti i skemës së sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore ishte sa 70% e investimeve të brendshme të Shqipërisë 1.58 herë më shumë se investimet e huaja. Këto para na reduktojnë para për politika sociale dhe prioritetet e zhvillimit të qëndrueshëm. Sot bota e ka vënë theksin te kohezioni social”.
Ai tha se Banka Botërore është duke përgatitur një skemë të re pensionesh për Shqipërinë.
“Ka premisa pozitive se po rriten të ardhurat për të pasur një mbështetje më të mirë. A do jetë e plotë? Nuk e them dot. BB po bën studim tjetër për skemën e pensioneve në Shqipëri. Skema e parë synoi moshën e pensioneve dhe rritjen e viteve të punës. Ka rezultuar që nga viti 2025 që kërkesa për sa më shumë vite pune dhe në kushtet kur arshivat janë problematike dhe të tmerrshme për të gjetur vitet e punës, rriti numrin e pensionistëve me pension të pjesshëm dhe i bëri më të varfër. Nëse qeveria bie dakord për këtë skemë disa elementë të skemës mund të japin efekt. Përsa u përket skemave suplementare te pensioneve nuk kemi pasur kulturë të sigurojmë vetë vetveten”.
Duke folur për rritjen e pagës mesatare që pritet të shkojë 9000 euro nga 1 korriku, Malaj tha se ky është një premtim duhet të jetë pjesë e politikave stimuluese. Për ish-ministrin e Financave vetëm me një skemë mbrojtjeje sociale për klasat e mesme dhe shtresat në nevojë mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social e politik.
“Ajo që duhet bërë nga të gjitha forcat politike është që nuk ka në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social e politik të një vendi nëse nuk ka një skemë të mirë në mbrojtje sociale për klasën e mesme dhe shtresat në nevojë. Kur marrim lekë nga rritja e inflacionit qeveria nuk merr taksë. Për të kompensuar duhet të kompensojmë pjesën kritike, duhet një rishpërndarje më e mirë e të ardhurave shtesë nga inflacioni. Nuk janë të ardhura që ka marrë qeveria, janë të ardhura që janë krijuar në kurriz të konsumatorëve. Kemi konsumatorë që e përballojnë jetën e tyre, kemi konsumatorët që u preket niveli i jetesës, por edhe disa në nivele kritike e mbijetese. Politikat duhet të jenë të qarta e transparente që të mbështesësh këto shtresa në nevojë”.