Viti që lamë pas u shoqërua nga një valë e ikjes masive të Shqiptarëve drejt Europës , ndërkohë që këtë vit ka pasur një tendencë krejtësisht të kundërt. Këtë e reflektojnë edhe treguesit vjetorë të vitit 2022 nga “Agjencia për Azil e Bashkimit Europian”, të cilët raportuan se vendet e Bashkimit Europian kishin dukshëm më shumë aplikantë nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
E përkthyer në shifra aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian, gjatë muajit Korrik të vitit të kaluar, ishin 1,099. Ndërkohë, gjatë vitit 2023 kemi një tkurrje të kërkesës pasi vetëm 671 shqiptarë kanë aplikuar , ku nga këto 483 ishin aplikime për herë të parë dhe pjesa tjetër rezultojnë aplikime të përsëritura. Rënia vjetore e numrit të kërkesave për muajin Korrik llogaritet në 38.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shqiptarët vazhdojnë të zgjedhin si destinacionet më të pëlqyera Francën dhe Gjermaninë, shtet ky i fundit që ka hapur dyert për shqiptarët përmes ofrimit të kontratave të punës. Ndërkohë norma e njohjes vijon të mbetet në nivele të ulëta. Vetëm 7% e kërkesave nga shqiptarët janë pranuar p 137r muajin Korrik të këtij viti
Po të analizojmë vendet e rajonit shohin se Shqipëria vazhdon të kryesojë. Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut me 392 aplikime dhe Serbia me 289 aplikime. Kosova për Korrikun ka regjistruar 170 aplikime, ndërkohë që vendet me numrin më të ulët të aplikimeve janë Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi me 94 dhe 17 kërkesa. Të dhënat tregojnë se që nga fillimi i vitit, pra muaji janar, të gjitha vendet e rajonit kanë regjistruar një rënie të numrit të aplikimeve. Edhe për vendet e rajonit destinacionet kryesore ku janë paraqitur kërkesat më të larta janë Franca dhe Gjermania./ TV Scan