Ai e kishte mohuar ekzistencën e Covid deri në prill, por tani në Korenë e Veriut janë rreth 5 milionë njerëz të infektuar.
Për presidentin Kim Jong-un, fajin e kanë balonat që sipas tij vijnë nga Seuli. Kjo është teoria e mbështetur nga agjencia qeveritare KCNA, sipas së cilës virusi mbërriti në vend për shkak të fletëpalosjeve kundër propagandës të bartura nga balonat e lëshuara nga aktivistët e Koresë së Jugut.
Agjencia citon një hetim të nisur pas infektimit të një ushtari 18-vjeçar dhe një djali 5-vjeçar, të cilët do të ishin “rastet e para të etheve” për shkak të kontaktit me “objekte aliene”, pra tullumbace dhe fletushka.
Zona e “epidemisë së parë malinje” është ajo e Iphorit, në provincën e Gangëon. Sipas qeverisë, virusi mbërriti në Phenian në mes të prillit përmes njerëzve nga ajo zonë.
Rezultatet e hetimit, të publikuara dje nga Qendra Shtetërore për Parandalimin e Epidemisë dhe Emergjencave, tashmë ishin dorëzuar dhe miratuar nga Komiteti Qendror i Partisë, me miratimin e liderit Kim Jong-un.
“Komiteti gjithashtu urdhëroi lëshimin e udhëzimeve emergjente” për mbikëqyrjen e “objekteve të huaja të bartura nga era ose fenomene të tjera klimatike dhe nga balona në zonat përgjatë kufirit”, njoftoi KCNA.
Fletëpalosjet kanë qenë një burim tensioni midis dy Koreve, me shtetin komunist që i bën thirrje qeverisë në Seul të marrë masa më të ashpra për të ndaluar “fushatën e shpifjes”, duke kërcënuar me një përgjigje ushtarake.
Ndërkohë, Seuli zyrtar ka hedhur poshtë pretendimet nga Veriu, duke vënë në dukje se nuk ka mundësi që shpërthimi i koronavirusit të jetë i lidhur “me këto materiale nga Jugu”.