Aleksandër Sadikaj 27-vjeç humbi jetën në aksin Sauk-Teg si pasojë e një atentati me tritol.
Aleksandër Sadikaj ka ndërruar jetë pasditen e sotme në spital, pas një shpërthimi të fuqishëm që hodhi në erë makinën me të cilën ai po udhëtonte nga Sauku në drejtim të rrethrrotullimit të Tegut. 27 vjeçari ishte duke lëvizur me një mjet Golf 7 ngjyrë e bardhë, kur makina shpërtheu. Mjeti nuk ishte në pronësi të viktimës, por në emër të Petrit Osmanit.
Ai mori plagë të rënda nga shpërthimi dhe si pasojë humbi jetën në spital. Sadikaj ishte nga Berati, ishte pronari i një ferme kampingu “Sancho Farm Albania” në Memaliaj që sipas të dhënave nga QKB rezulton e regjistruar në janar të këtij viti.
Sadikaj ishte emër i njohur për policinë, pasi ishte person me precedent të theksuar kriminal, në fushën e vjedhjes, krimeve ndaj personit dhe narkotikëve, por aktualisht nuk ishte në kërkim.
Burime për media bëjnë me dije se edhe pse në një moshë të re Sadikaj nuk ishte i njohur vetëm për policinë shqiptare, por edhe për autoritetet greke.
Sadikaj është i akuzuar për vrasje në vendin fqinj në Greqi. 27-vjeçari akuzohet për një krim të ndodhur 6 vite me parë në Athinë dhe dyshohet se vrasja është kryer nga Sadikaj për prishje të pazareve të drogës.
Precedentët në Shqipëri:
٠Më 09.04.2011 është arrestuar në Berat, pasi, së bashku me një person tjetër kanë tentuar të vjedhin në subjektin AlbTelecom-Berat;
٠Më 30.04.2011 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Vlorë, pasi Gjykata e Vlorës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim;
٠Më 31.05.2017 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”. Më 23.08.2018, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 8 muaj burgim, për këtë vepër;
٠Më 29.05.2017 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”;
٠Më 09.07.2019 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Sarandë, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me thikë shtetasin A. D., duke i shkaktuar dëmtime serioze në trup. Më datë 30.07.2019, për këtë ngjarje, Gjykata e Sarandës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
٠Gjithashtu, për këtë shtetas, disponohen informacione në rrugë operative se kryente veprimtari kriminale edhe në fushën e narkotikëve.