Lajmi se Iliri dhe Sabiani nuk ishin më miq, na “tronditi” ndoshta më shumë sesa ndarja e Beatrix dhe Donald. Dy “vëllezërit”, ashtu siç ata e quanin njëri-tjetrin krejt pa pritur, nuk u panë më së bashku. Dhe gjithçka u konfirmua kur Sabiani mungoi në dasmën e Ilirit, një javë më parë.
Në dasmë morën pjesë miq të shumtë dhe balerini kishte të ftuar gjithashtu në ditën më të rëndësishme dhe disa prej ish-banorëve të “Big Brother VIP”. Arbër Sulstarova me partneren e tij, Ardit Çuni, Sheila Haxhiraj, Meridian Ramçaj, Arjola Demiri, Valon Shehu etj. ishin pjesë e festës.
Mirëpo vëmendje mori mungesa e mikut të tij, Sabianit, i cili për çudi nuk ishte pjesë e dasmës. Mungesa e tij ngriti dyshime se gjërat mes tyre nuk janë më siç kanë qenë më parë. Teksa miku i tij festonte në Durrës, këngëtari ndodhej në Dhërmi duke darkuar me djalin e vogël dhe një mikun e tij. Megjithatë, Iliri tha se Sabiani ishte i pari që e mori ftesën. Por shtoi se nuk mund të ishte i pranishëm për shkak të punës, siç nuk mundën të ishin të pranishëm shumë miq të tjerë.
Në këtë mënyrë, ai hodhi poshtë çdo aludim se miqësia mes tyre nuk është si më parë. Ndërkohë, i pyetur nëse kishte ftuar Donaldin, Iliri tha se nuk i kishte dërguar ftesë aktorit.
“Kishte njerëz që nuk mundën të vinin, sepse kishte punë. Siç nuk erdhën edhe ata nga Italia. Fillimisht ftesa ishte bërë për në 4 qershor dhe u përshpejtua, shumë njerëz patën moskombinim. Falënderoj këdo që ishte prezent. Sabiani e mori ftesën i pari. Ka pasur punë dhe unë e mirëkuptoj. Ndoshta edhe unë një ditë nëse do të jem i ftuar diku dhe do të kem punë, shpresoj të kem mirëkuptim. Donaldin nuk e ftova”, tregoi ai.
Në një reagim të dytë, fituesi i “Big Brother VIP” u shpreh edhe më i ashpër me mikun e tij, duke u shprehur se as nuk e kishte uruar. Në një intervistë për “Breaking Top News” fill pas dasmës, fituesi i “Big Brother Vip” u shpreh se Sabiani as që e ka uruar. “Jo, nuk kam marrë asnjë urim”, është shprehur Iliri. Madje ai tregoi se as nga Monika Lubonja dhe Donald Veshaj nuk ka marrë një urim për dasmën e tij.
“Unë besoj se gjërat duhen lënë ashtu siç janë. Dhe është koha që tregon në qoftë se miqësitë vazhdojnë, thyhen ose dëmtohen. Kjo varet sigurisht nga personat, njerëzit sa besojnë në një miqësi dhe se sa sinqerisht e kanë pasur një miqësi. Unë për sa i përket Sabianit, kam të njëjtin mendim që kam pasur. Arsyet se pse ka ndodhur kjo gjë, i duhen pyetur edhe Sabianit, jo vetëm Ilirit. Kështu që nuk kam çfarë shtoj tjetër”, vazhdon balerini.
Por nga çfarë kemi mundur të mësojmë, Sabiani nuk ka marrë ftesë nga Iliri. Natyrisht që këngëtari ka qenë në dijeni të dasmës, teksa Iliri po e përgatiste dhe dukej se ai do të ishte një ndër të ftuarit kryesorë, por sherri i javëve të fundit e ka lënë artistin të paftuar në dasmën e ish-mikut të tij. Të paktën pa një ftesë zyrtare. Mbetet për t’u parë se si do të vijojë historia e dy ish-miqve, që deri më tani nuk kanë zgjedhur të flasin për shkëputjen e menjëhershme të një miqësie shumë të fortë.panorama