Ka ardhur reagimi i kryetares së LSI Monika Kryemadhi, menjëherë pasi SPAK lëshoi disa urdhëra-arresti, ku mes tyre ishte dhe ai për deputetin e Partisë Socialiste Alqi Bllako.
Gjatë një reagimi për mediat, Kryemadhi hodhi akuza ndaj Klodian Zotos për të cilin tha se ka marrë 9.8 milionë euro nga landfilli i Vlorës.
Ajo gjithashtu paralajmëroi se brenda pak ditësh do të publikojë një tjetër “aferë” ku vërteton se miliona euro kanë ardhur nga Malta drejt Shqipërisë të cilat sipas saj u përdorën për të blerë votën e 25 prillit.
“Kanë kaluar 394 ditë nga padia e parë që dorëzuam në SPAK. E gjitha kjo ç’po ndodh sot me hetimet e inceneratorëve është falë akuzave dhe padive që ka çuar në SPAK LSI-ja. Siç u tentua me Komisionin Hetimor për të varrosur të vërtetat e kësaj afere, nuk do lejoj që kjo aferë, nuk do të shuhet por do e çojmë deri në fund. E them me bindje të plotë, çështja e inceneratorëve është grup i strukturuar kriminal dhe politik. Përmes parave të inceneratorëve janë kapur elementët më të rëndësishme të jetës shqiptare. Kemi vënë në provë SPAK, është në provë çdo ecuri e kësaj dosje. Dua të falënderoj çdo specialistë” – tha Kryemadhi.
Për landfillin e Vlorës nuk e di askush, por janë paguar 9.8 milionë euro të cilat janë përfituar nga Klodian Zoto. Po ashtu Zoto në 2016 ka marrë 1 milionë dollarë nga bashkia Rogozhinë, po ashtu 650 milionë lekë të tjera po nga kjo bashki. 678 milionë dollarë nga OSHEE për vendosjen e matsave. Në 2017 ka marrë nga bashkia Rrogozhinë 1.5 milion dollarë. Ka marrë nga ministria e Mirëqenies sociale dhe Rinisë 1 milionë dollar për ndërtimin e shkollës.
Kompania e inceneratorëve deri më sot shkon më shumë se 430 milionë euro, mos u çudisni të na dalin Zoto në spitale. Çdo hetim nëse do të kishte vërtetësinë e tij qoftë nga SPAK apo komisioni hetimor që ishte zvarritje prej 5 muajsh për të çuar zvarritjen e këtij Komisioni. Ne do ta zbardhim më tej këtë grup të strukturuar kriminal pasi shumë njerëz po kërkojnë të dalin përgjegjësit.
Para një viti kam paralajmëruar se do të vinin një shumë e madhe parash nga Malta. Shumë shpejt do të njiheni edhe me atë dosje e cila u vendosën në funksion të blerjes së votës më 25 prill”, tha Monika Kryemadhi.