Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ka folur për procesin e zgjedhjes së Kreut të ri të Shtetit, pas mbarimit të mandatit të Metës në korrik të këtij viti.
Ai deklaroi se PS do të dëshironte një President që di të qendrojë mbi të gjitha palët, ndryshe nga ai aktuali.
”Patjetër ne kemi filluar që të bëjmë një lloj hulumtimi paraprak, sesi do të zhvillohet ky proces. I takon Kuvendit dhe ky proces zhvillohet në Kuvendin e Shqipërisë. Ne do të donim një President që të ishte antipodi i asaj që ka qenë vitet e fundit. Kemi pasur një President mirëfilli partiak me axhendë politike, me plan se çfarë do të bënte në ditët që do të mbaronte Presidentin apo e kthehu Presidencën në një instrument politik të opozitës, pra në dobi të opozitës apo në funksion të planeve të opozitës. Ne nuk do donim këtë gjë. Ne do të donim një President që di të qëndrojë mbi palët. Shqipëria në të kaluarën ka pasur shembuj të mirë ku presidentët kanë qëndruar mbi palët pavarësisht nga fakti se si janë propozuar apo kush forcë e ka dhënë mbështetjen. Mendoj se ky proces këtë duhet të synojë”, tha ai.
Ai nënvizoi se edhe pse PS i ka të gjitha votat e nevojshme për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, mazhoranca do të dëshironte të kishte një figurë që përfaqësonte një spektër më të gjerë.
”PS do të bëjë gjithçka. Natyrshëm ne i kemi votat për të zgjedhur këdo sepse sipas Kushtetutës në fund Presidenti mund të zgjidhet dhe me 71 vota, por ne do të donim që të kishim një figurë që përfaqësonte një spektër më të gjerë se PS, jo në kuptimin politik, por në kuptimin e besimit që duhet të kenë të gjithë aktorët tek figura e presidentit. Kështu që në ditët në vijim ne do të kemi më shumë informacion kur dhe të përcaktohet qartë kalendari i grupit parlamentar dhe kalendari i Kuvendit në lidhje me këtë çështje e cila nga mesi i prillit do të fillojë të materializohet”, tha Gjiknuri në një intervistë për “Top News”.