Pak orë pas atentatit në Elbasan, ku i plagosur dyshohet se mbeti Talo Çela, policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar, të shumëkërkuarin Nuredin Dumani. Ky i fundit ka qenë në kërkim për vrasjen e vëllait të Talo Çeles, Bujar Çela, por edhe te disa personave te tjere.
Po kush është Nuredin Dumani?
Nuredin Dumani është një emër shumë i njohur për policinë. Emri i tij u lakua në tetor të vitit 2020, kur ai u shpall në kërkim si autor i vrasjes së Bujar Çelës, vëllai të Talo Çelës.
Ai është autor i dyshuar edhe për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, ngjarje kjo e kryer në bashkëpunim me Talo Çelën, sipas Policisë dhe dy personave të tjerë.
Autorësia e tyre në këtë ngjarje është dëshmuar nga i penduari i drejtësisë, Klevis Alla, ndërsa dy vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre.
Vëllezërit Haxhia, gjithmonë sipas dëshmisë së Klevis Allës, kanë deklaruar se paratë i kanë humbur në muajin janar të këtij viti, kur servisi i tyre ra pre e vjedhjes, ku i morën edhe materiale dhe nuk kishin asnjë mundësi për t’i kthyer pas. Dumani është shok me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator.
Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars 2020. Po ajo që bie më shumë në sy është se në vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën, ndërsa së fundmi ai akuzohet për vrasjen e vëllait të tij.
Nuredin Dumani gjithashtu mësohet se ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi e trafikuar në Francë.
Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori i rrjetit, që i mashtronte vajzat duke u propozuar për martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do të vriste familjarët e tyre. Po ashtu, Nuredini ka qenë i arrestuar më herët edhe për akuzën e vjedhjes.
Dumani, i dyshuar edhe për vrasjen e shokut të tij në Rrogozhinë
Sipas informacioneve të Policisë së Elbasanit, Nuredin Dumani dyshohet se është i implikuar edhe në vrasjen e shtetasit Klevis Kapllani, me të cilin kishte njohje të hershme dhe shoqëroheshin bashkë.
Gjithashtu mësohet se Nuredin Dumani dhe Klevis Kapllani janë nga i njëjti fshat, Sinaballaj, dhe para se Dumani të shpallej në kërkim nga Policia për ngjarjet kriminale, ata shoqëroheshin bashkë në publik.
Burime nga Policia bënë të ditur se Kapllani ka qenë i dënuar dy herë në Itali, si shpërndarës droge. Por tashmë Nuredin Dumani rezulton i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Durrësit, pasi akuzohet se është i implikuar edhe në dy ngjarje të rënda në Durrës, me një bilanc prej 4 viktimash, Besmir Haxhia, Viktor Haxhia, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdyli, ngjarje të ndodhura në muajin mars dhe maj të këtij viti.
Për këtë ngjarje në kërkim është dhe Talo Çela, i cili së bashku me Nuredin Dumanin përmenden në dëshminë e të arrestuarit për atentatin e vëllezërve Haxhia, Klevis Alla.panorama