Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Mete prezantoi ditën e sotme në mbledhjen online të Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Raportin e veprimtarisë së Autoritetit për vitin 2020.
Në fjalën e tij, ai bëri një pasqyrim të qartë të zhvillimeve kryesore përgjatë vitit 2020, të shënjuar nga efektet e pandemisë si dhe ndikimi vazhdues i dëmeve të tërmeteve të fundvitit 2019.
Ai përmendi disa nga masat e marra nga Autoriteti në funksion të garantimit të stabilitetit financiar.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u shpreh se megjithëse ndikimet fillestare të pandemisë ishin tepër të ndjeshme, tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit u shfaqën rezistente, ndërsa sipas tij treguesit e 3-mujorit të parë të këtij viti sugjerojnë rikthimin e tyre në normalitet.
“Referuar të dhënave paraprake, tregu i sigurimeve ka njohur rritje të konsiderueshme me 12.5% të të ardhurave për periudhën janar-marsi 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa tregu i fondeve të investimit ka rritje me 2.4% të vlerës së aseteve neto për 3-mujorin e parë të vitit 2021, krahasuar me 3-mujorin e fundit të vitit të kaluar” – bëri të ditur Z. Mete.
Duke vijuar më tej, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv njoftoi disa nga masat më kryesore të ndërmarra nga Autoriteti në funksion të ruajtjes së qëndrueshmërisë financiare të tregjeve si dhe vijimësisë së veprimtarisë së subjekteve nën mbikëqyrje.
Vendimi për pezullimin e shpërndarjes së dividendit dhe plani i veprimit me sens rimëkëmbjeje për 2 shoqëri sigurimi ndikuan bindshëm në përmirësimin e treguesve financiarë të shoqërive të sigurimit, aq më tepër në një vit mjaft të vështirë ku u shënua një rënie me 5.73% e të ardhurave nga primet.
Tregu i sigurimeve rriti kapitalet e saj me 1.85 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Treguesi i aftësisë paguese për shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës ka pësuar rritje të konsiderueshme prej 67%, nga 106% në vitin 2019 në 173% në vitin 2020. Po ashtu, tregu i sigurimeve ka shënuar përmirësime edhe në treguesin e aktiveve në mbulim të provigjoneve.
Për momentin, ky tregues për tregun e Jo-Jetës ndodhet në nivelin e 131.6%, ndërsa për Jetën 130.2%.
Sa i përket trajtimit të dëmeve pas dy tërmeteve të fundvitit 2019, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv tha se vitin e kaluar u paguan rreth 3 miliardë lekë dëme, teksa sipas tij janë mbyllur 90% e praktikave përmes pagesave të dëmshpërblimit.
Shoqëritë e sigurimit kanë trajtuar me korrektësi të gjitha dëmet nga tërmeti. Rezulton se deri më tani, në gjykatë janë ankimuar vetëm 6 çështje nga totali prej 6295 kërkesa për dëmshpërblim në lidhje me dy ngjarjet e tërmetit.