Autoritetet islandeze vijojnë hetimet për zbardhjen e vrasjes së shqiptarit, Armando Beqiri. Autoritetet ligjzbatuese kërkuan me ngulm zbardhjen e ngjarjes dhe vënien në pranga të autorëve. Së fundmi, policia në Reykjavik arrestoi 4 persona të tjerë si dhe ushtroi kontrolle në 6 vende të ndryshme mëngjesin e së enjtes.
Mediat e huaja nuk kanë dhënë shumë detaje rreth kësaj ngjarje, ndërsa shkruajnë se asnjë prej të arrestuarve nuk ka qenë ndaluar më parë për ngjarjen. Më herët, policia ka vënë në pranga edhe 9 persona të tjerë, të dyshuar si të lidhur me ngjarjen, prej të cilëve 3 mbeten në burg. Një prej tyre do të qëndrojë në burg deri më 24 Mars, ndërsa dy të tjerët deri më 14 Prill. Numri total i të arrestuarve për hetimet e vrasjes së shqiptarit është 13.
Policia ka qenë tejet e rezervuar në dhënien e informacionit për ngjarjen. Në hetime janë përfshirë policia vendase dhe Europol, pasi në grupin e 9 të arrestuarve më herët, 8 prej tyre janë me kombësi të huaj, ndërsa tjetri islandez.
Armando Beqiri, u vra me breshëri plumbash jashtë shtëpisë së tij më 13 Shkurt. Ai ishte 32 vjeç dhe la pas bashkëshorten islandeze dhe një fëmijë të vogël, të cilët në momentin e ngjarjes ndodheshin në shtëpi.