Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik, përfaqësuesi i PS-së, Oerd Bylykbashi ka deklaruar se formula e propozuar ndodhet në Kushtetutë dhe është ajo për zgjedhjen e organeve të sistemit të drejtësisë.
Ndër të tjera, Bylykbashi u shpreh se mazhoranca nuk e pranon sepse i intereson kapja e plotë e KQZ në të tre organet.
Deklarata e Bylykbashit:
Këshilli Politik sot diskutoi për një nga çështjet më të rëndësishme që përmban dakordësia e 5 qershorit për administrimin e zgjedhjeve që është KQZ. Ne i qëndrojmë pikë për pikë këtij dokumenti dakordësie në lidhje me identifikimin biometrik, ruajtjen e administratës zgjedhore nga politizimi dhe dakordësinë për KQZ për një formulë të re që do të vërë bazat për një KQZ efikase. Ne kemi bërë propozim sot për një formulë të emërimit të anëtarëve të tre trupave të KQZ nëpërmjet një formule të mirëpranuar dhe të kolauduar që sot është në Kushtetutë, formula për zgjedhjen e organeve të sistemit të drejtësisë. Një formulë që garanton një shqyrtim të pavarur dhe jo politik të kandidaturave për të ushtruar detyrën në KQZ. Është një formulë që u kundërshtua nga maxhoranca socialiste pa asnjë arsyetim. Nuk i intereson për një arsye shumë të thjeshtë sepse i intereson kapja e plotë e KQZ në të tre organet. Dakordësia e datës 3 qershor konfirmohet por nga ana tjetër ai që është qëllimi jo vetëm i dakordësisë është që garancitë ekzistuese në kodin zgjedhor për opozitën karshi një maxhorance që shkatërron zgjedhjet do të qëndrojnë dhe rriten por nuk shkojnë më pak.
Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së, Petrit Vasili tha se ky ishte propozim më tepër se konstruktiv dhe se i kanë dhënë kohë mazhorancës për rëflektim.
“Është një kundërshtim i plotë i dakordësisë së arritur. I gjithë propozimi ynë respekton frymën e dakordësisë, depolitizimit, mekanizma të konsoliduar dhe garanton ekuilibrin në marrjen e vendimeve dhe jo pronësi të marrjes së vendimeve. Parë në këtë këndvështrim, ky propozim ishte më shumë se konstruktiv i opozitës, mund të ishte edhe më kërkues. Besoj se ka kohë për të bërë këtë reflektim”, shtoi Vasili