Pas nismës që prezantoi kryeministri Edi Rama disa ditë më parë, ku u shpreh se nga tetori deri në vitin e ardhshëm do të ndalohet lëvizja me makina të dielën, ka ardhur dhe reagimi i pedagoges Jonila Godole.
Ajo e cilëson këtë vendim si një absurditet të gjallë dhe pyet se çfarë do të ndodhë në tetor që e di kryeministri dhe ne nuk e dimë?!
Gjithashtu ajo sugjeron në mënyrë ironike që të hiqet dhe interneti dhe lajmet t’i marrim vesh nga ekranet e pushtetit.
REAGIMI I PLOTE I PEDAGOGES JONILA GODOLE
Të dielat pa makina për t’iu kushtuar “mjedisit, të moshuarve, fëmijëve dhe familjeve tona”.
Udhëzimet e fundjavës po kthehen në një zbavitje të vërtetë, absurditet i gjallë.
Pse vetëm të dielave pushim makinat, dhe jo nga e hëna të shtunën?!
Pse nga tetori, çfarë do ndodh atëherë, çfarë di kryeministri që ne nuk e dimë?!
Ndërsa shqiptarët ende nuk po lejohen të lëvizin të lirë në fundjavë, vjen paralajmërimi për kufizimet në të ardhmen?!
Pse mos ta heqin fare edhe internetin që të mos hallakatemi; lajmet i marrim vesh për bukuri nga ekranet e pushtetit, udhëzimet na i jep njëshi personalisht në telefonin fiks?!
Edhe pse më qeshet teksa shkruaj këto radhe, e kam një si frikë që e pabesueshmja mund të ngjasë në çdo çast, siç e kemi parë tashmë.
Erdhi e iku pandemia, asnjë studim serioz mbi çfarë ndodhi, çfarë fituam, çfarë humbëm, ku është ekonomia, si do funksionojë hapja, si do menaxhohet një pandemi e dytë e mundshme?!
Asnjë rresht letër për të justifikuar izolimin disa javor të shqiptareve, por shumë energji për të prishur dhe shembur: gjimnaze, vila të vjetra, Teatrin Kombëtar, mundësisht natën (se na ndotet ajri posi), me procedura të përshpejtuara dhe në mënyrë të paligjshme.
Për të gjitha këto sajohet një kauzë natyrisht, e lartë, idealiste.
Si kjo kauza e mbrojtjes së mjedisit, ku korsi biçikletash shkatërrojnë qindra biznese buzë rrugës; ku urbanizmi modern na thuhet se përmirëson cilësinë e jetesës sonë, gur e beton se helbete, kujt i duan parqet, mjafton njëri që kemi laj-thaj; ku kulla të reja do mbijnë si çibanë, ngucur mes një identiteti arkitekturor dhe historik të përçudnuar përqark sheshit.
Pas fasadave të lyera do lëngojnë pallatet e vjetra nën hijen e qiellgërvishtësve të vetmuar që pritet teë strehojnë ajkën politike dhe ekonomike të këtij vendi, medet.
Të moshuarit, te cilët i duam kaq shumë, do rilindin, kur t’i shpien – me orar – të bëjnë “shopping” në qendrat komerciale të kullave, me paratë e pensionit simbolik.
Fëmijët do kënaqen pamasë duke luajtur mes betonit dhe familjet e tyre do kursejnë karburantin duke mos dalë në natyre, por duke kthyer filxhanin e kafesë në lokalet e kullave përreth sheshit, në pritje të udhëzimit të radhës, nga lart.