Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, gjatë diskutimeve për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, akuzon opozitën se po mban peng zhvillimin e Shqipërisë.
“Ka më arsye përse Ilir Meta duhet të ikë nga zyra e Presidentit të Republikës. Kjo nuk është një sjellje sporadike, por vijimisht për vite të tëra kanë bërë politikën më të keqe kundër shqiptarëve, duke vërtetuar thënien e Fishtës se, “shqiptarët janë si i do armiku”. Dhe si janë këta? Në 6 vite e gjysmë kanë folur, kanë shkruar letra, kanë bërë peticione, kanë bërë deklarata dhe të gjithë aksionin opozitarë e kanë bazuar te antikrimi. Ju jeni kriminel, ju keni futur kriminel në Kuvend, ju jeni një mazhorancë e kriminalizuar. PS është streha e kriminelëve dhe me këtë gjuhë i janë drejtuar të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe partnerëve tanë”, –thotë ministrja Spiropali.
“Përpjekja ka qenë vijimësisht. Mbani mend, shpallën në Kuvend 22 kriminelë. Nuk dhanë asnjë emër, por vijonin paturpësisht duke thënë se në Kuvend ka 22 kriminelë nga radhët e PS. Nuk lanë njëri pa i thënë ‘kriminel’, duke i shkaktuar ankth e stres të pamerituar familjarëve të tyre. Sot që kjo mazhorancë dhe qeveria ka ndërmarrë ofensivën më të egër kundër krimit, aseteve të krimit, kanë dalë në sheshe, në parlament fatkeqësisht e dëgjojë nga ju, në studio, nuk lanë studio… E thonë se po shkelen të drejtat e qytetarëve që kanë trafikuar, kanë shpërndarë drogë… etj. Pra këta që s’kanë as kujdesin, as ndjeshmërinë më minimale për njerëz krejtësisht të pafajshëm, duke i shpallur kriminelë e fajtorë, paskan ndjeshmëri të shtuar për njerëzi që kanë kryer dënimin apo janë në hetim për krimet e rënda. Dhe mjafton një mëndje e thjeshtë për të kuptuar se kjo është hipokrizi olimpike, e s’ka lidhje me politikën, është inkoherenca më e madhe”, – shton Spiropali.
“Në pikën ku jemi për sa i përket procesit të integrimit ky është një hap i shtuar, siç thotë dhe raporti i Komisionit, Shqipëria ka rritur përpjekjet, ka shtuar përpjekjet thotë raporti i KE për të realizua të gjitha detyrat dhe prioritetet kyçe, pra dhe prioritetin kyç për luftën kundër krimit dhe trafikimit të drogës. Dhe ata e thonë e zeza më të bardhë dhe këta nuk e japin, se as tellall nuk janë, por bëjnë tellallin me vendin e tyre. Presidenti nis letra Komisionerit të Zgjerimit duke i thënë se Shqipëria nuk meriton çeljen e negociatave dhe rendit arsyet. Pra është jo vetëm një politikë dritëshkurtër kombëtare, por është dhe një pabesi shumë e madhe që i bëhet Shqipërisë”, – tha ajo.
“Të gjithë e dinë, është e njohur që procesi i integrimit sjell me vete shumëçka, nuk është enë bosh pa përmbajtje, kërkon dënime, kërkon rezultate të drejtësisë së re, hetim të zyrtarëve të lartë, kërkon zbardhje të zullumeve që janë mbyllur me kapak të rëndë prej vitesh. Procesi i integrimit kërkon që pandëshkueshmëria të mos jetë normë, por të luftohet egërsisht dhe këtë po bën Reforma në Drejtësi dhe kjo i ka trembur e errur sytë dhe arsyen. Dhe janë të gatshëm që, për të asgjësuar kundërshtarin, të plagosin Shqipërinë. E kanë provuar se për 2 metra tokë nën këmbët e tyre t’i vënë edhe flakën Shqipërisë. Por s’ka më, nuk mund të vazhdojë kjo…”, –vijoi Spiropali.
“Kemi pesë vite që po luftojmë për Reformën në Drejtësi dhe kjo reformë ka pasur kundërshtarët më të egër të mundshëm. Së pari, vetë gjyqtarë e prokurorë, ku 60% po i largon Vetingu. Po ashtu ka pasur kundërshtarë edhe ata që i mbronin dhe garantonin politikisht, një opozitë të tërë që doli në rrugë dhe Kreun e Shtetit. Sa më shumë rritet SPAK, Gjykata e Lartë dhe Kushtetuese, aq më shumë rritet tensioni. Puthen bajrakët në manifestim, pastaj thikën pas shpine Shqipërisë, të dalë ku të dalë. Kjo është historia”, – përfundoi ministrja.