Çifti bashkëshortor i cili kishte ardhur para dy ditësh nga Suedia në Kosovë, u qëllua për vdekje me armë zjarri. I dyshuari për vrasjen e tyre është A.Hadri, djali i tyre, i cili ka ikur nga Kosova, pas vrasjes makabre të prindërve, raporton Gazeta Express
Dy gëzhoja të plumbave dhe një pistoletë u gjetën në afërsi të trupave të pajetë të Suada dhe Durim Hadrit nga Prizreni. Oborri i shtëpisë së familjes Hadri në lagjen “Ortakoll” të Prizrenit po qëndron ende i rrethuar me shirita të policisë të cilët tregojnë se një ditë më parë aty ndodhi një ngjarje e rëndë.
Çifti bashkëshortor kishte ardhur nga Suedia në Kosovë për pushime, por vetëm dy ditë pas ardhjes ata u gjetën të vrarë në shtëpinë e tyre në Prizren. Prokuroria Themelore e Prizrenit ka thënë për Gazetën Express se i dyshuar për vrasjen e çiftit nga Prizreni është djali i tyre 35-vjeçar, A.Hadri.
Suada e Sokol Hadri kishin ardhur nga Suedia në Kosovë më 20 janar, ndërkaq po atë natë, djali i tyre A.Hadri kishte ikur nga Kosova. Prokuroria ka thënë se i dyshuari ka shkuar nga Kosova në Maqedoni me datën 20 janar, e më 21 janar nga Maqedonia në Greqi. Ndërkaq gjatë ditës së sotme policia ka marrë në pyetje edhe dy fëmijët e tjerë të çiftit Hadri, të cilët pas marrjes së lajmit për vrasjen e prindërve të tyre, kanë ardhur nga Suedia në Kosovë.
Si ndodhi e tërë ngjarja
Mëngjesin e së mërkurës në një shtëpi në rrugën “Avni Kabashi” në lagjen “Ortakoll” në Prizren, policia gjeti dy trupa të pajetë. Rrethanat e vdekjes së çiftit ende nuk diheshin, ndërkaq fillimisht rastin e konfirmoi për Express zëdhënësi i Policisë në Drejtorinë Rajonale të Prizrenit, Shaban Osmanollaj.
“Në orën 10:25 policia rajonale ka pranuar informacione se në rrugën Jusuf Gërvalla në lagjen Ortakoll janë dy trupa që dyshohet se janë të pajetë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ekipet e emergjencës dhe po e hetojnë rastin”, ka deklaruar Osmanollaj. Pas hetimeve të para në vendngjarje, policia gjeti një pistoletë me pesë fishekë, një kuti me 49 fishekë si dhe dy gëzhoja. Po ashtu, në trupat e pajetë të viktimave u gjetën plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Pas këtyre hetimeve, Prokuroria Themelore e Prizrenit dhe policia treguan se bëhet fjalë për vrasje. “Sipas dyshimeve të para të Prokurorisë, në trupat e viktimave janë vërejtur plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Gjatë shikimit në vendin e ngjarjes, është gjetur një armë e zjarrit – pistoletë, për të cilën dyshohet se mund të jetë arma me të cilën është kryer vepra penale”, ka bërë të ditur Prokuroria.
Derisa mjekët ligjorë dhe policia po qëndronin në shtëpinë ku ndodhi ngjarja e rëndë, trupat e pajetë të viktimave u dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. Ndërkaq policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se rasti po cilësohet si “Vrasje e rëndë”.
“VRASJE E RËNDË/Rr. “Avni Kabashi”, Prizren 22.01.2020 – 10:43. Në shtëpinë e tyre, pa shenja jetë është gjetur çifti bashkëshortor (një mashkull dhe një femër) K-Shqiptar. Vdekjen e tyre e ka konstatuar mjeku. Në trupin e viktimave vërehen plagë nga arma e zjarrit. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe janë konfiskuar një pistoletë me pesë fishekë, një kuti me 49 fishekë dhe dy gëzhoja. Me vendim të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë. Suada dhe Durim Hadri do të varrosen të premten në Prizren.
Marrë nga GazetaExpress