Elisabeta Mita është gruaja e cila u arrestua pas publikimit të një videoje pak ditë më parë, në të cilën shfaqej duke dhunuar barbarisht të bijën e mitur.
Së fundmi ajo ka treguar një tjetër version në polici, i zbardhur nga gazeta “Panorama”.
Në dëshminë e saj, Mita pretendon se ish-bashkëjetuesi mund të abuzonte mes vajzën e mitur, dhe për këtë arsye kanë nisur dhe konfliktet.
DËSHMIA E ELISABETA MITA
“Unë jetoj në lagjen nr. 3 në Sarandë. Kam marrë me qira me kontratë noteriale, të përsëritur disa herë që nga viti 2012, një banesë. Familja ime përbëhet nga ish-bashkëjetuesi Arjan Mekollari, i cili rrinte me forcë dhe pa dëshirën time në banesën time me qira, pasi me këtë shtetas edhe pse kisha lindur një fëmijë, djalin tim pesë vjeç e gjysmë, një vit e gjysmë më parë jam ndarë.
Ai vazhdonte të qëndronte me forcë në banesën time, duke më bërë shantazhe dhe presione psikologjike dhe fizike, duke përdorur marrëdhëniet e mia me vajzën time nga martesa e parë, e quajtur Xh. M. 13 vjeç, nxënëse në klasën e tetë, në shkollën “Adem Sheme”.
Nga kërkesat e mia që kam bërë në Bashkinë Sarandë për gjendjen time ekonomike, ajo më ka trajtuar me ndihmë financiare prej 3900 lekë, si dhe një bonus qiraje për shtëpinë.
Me ish-partnerin tim, Arjan Mekollari, kam pasur kontradikta, pasi ai nuk ka punuar dhe shfrytëzonte të ardhurat e mia që merrja nga Bashkia Sarandë, si dhe nga punët që unë bëja dhe ndihmat që më dërgonin të afërmit, si prindërit e mi, si dhe vëllezërit dhe motrat.
Kontradiktat midis meje dhe Arjanit arritën kulmin në korrik-gusht 2019, kur ai më dha fjalën se do të largohej nga shtëpia përfundimisht, ku më garantonte se derisa të largohej nga banesa jonë do të paguante gjysmën e qirasë së shtëpisë. Për këto problemet e mia familjare kishin dijeni të dy fëmijët, sepse debatet ndërmjet nesh bëheshin edhe në prezencë të tyre. Debatet tona shpesh herë i kanë marrë vesh edhe komshinjtë tanë dhe nëse është e nevojshme, atëherë ata do të jenë të gatshëm të deklarojnë edhe konfliktet tona”.
“Vajza ime Xh., avash-avash po hidhte trup në mënyrë graduale dhe unë gjithmonë shqetësohesha kur ajo ishte e vetme në shtëpi me ish-bashkëjetuesin Arjan Mekollari, pasi me vajzën time ai nuk ka asnjë lidhje gjinie dhe gjaku. Ai gjithmonë e afronte vajzën në mënyrë provokuese, duke i premtuar se do t’i blinte gjëra të ndryshme me qëllim që vajza të afrohej me të dhe të mbante ftohtësi me mua nga që unë i kërkoja llogari që vajza të mos përdorte telefon me kamer, sepse ishte akoma e vogël dhe nuk doja që të ngatërrohej me gjëra që nuk i takonin për moshën. Llogarinë që unë kërkoja ndaj vajzës për mbarëvajtjen në mësime, ai e shfrytëzonte kundër meje. Shumë herë kemi bërë sherre dhe konflikte për arsye se ai është xheloz ndaj meje. Ai u flet dhe prindërve të mi duk u thënë se “çupa juaj ka të dashur“.
Në datën 03.09.2019, rreth orës 02:25, unë kam qenë në gjumë me djalin tim. Zgjohem dhe shikoj që vajza nuk ishte në krevat. Shkoj në banjë dhe e gjej aty vajzën, e cila kishte mbyllur derën e banjës dhe e shikoj që nga jashtë që kishte një telefon në duar, të cilin e fshehu menjëherë.
Ajo fshehu menjëherë telefonin, por unë arrita t’ia merrja. Telefonin, Arjani ia kishte dhënë vajzës fshehtas, duke e ditur që vajza përdorte faqe të ndaluara për moshën e saj, gjë që mua më shqetësonte për faktin që përmenda më lart. Pra, mendoja që ai e shtynte në këtë lloj fushe vajzën time, duke parë dhe lëvizje të dyshimta mes vajzës dhe Arjanit”.
“Unë e nxora nga dhoma Arjanin duke e shtyrë. Më pas kam marrë Policinë dhe kam dhënë kallëzim penal e më pas Policia më ka çuar në Gjykatë për të më pajisur me urdhër mbrojtjeje. Janë zhvilluar dy gjykime dhe Arjani ka bërë njeriun e butë në Gjykatë, ka kërkuar falje dhe ka deklaruar se do të largohej nga banesa ime dhe Gjykata vendosi që problemi do të zgjidhej midis nesh, kjo edhe bazuar në deklarimet e mia dhe të vajzës. Ca kohë, kur ishim në Gjykatë, ai u bë njeri i mirë, kërkoi falje dhe më thoshte se do të largohem nga banesa sot e nesër, por koha kalonte dhe ai nuk po largohej. Unë mendoja se ai paguante qiranë, por ai pati gënjyer dhe nuk e kishte paguar pjesën që i takonte. Ai, si gjithmonë, përdori përsëri vajzën”.
“Unë lodhesha në punë dhe i lija detyra vajzës sime për mësimet, për sjelljen, për marrëdhëniet me shoqërinë, si dhe për punët që duhet të bënte në shtëpi, ku duhej të kujdesej për vëllain e vogël kur unë isha në punë. Unë e ndihmoja vajzën që jo vetëm në shkollë, por të shkonte edhe në kurse, me qëllim që të ecte si shoqet e saj dhe të mos pësonte fatin tim kur të rritej. Kur unë i thosha Arjanit që të ikte nga shtëpia, ai më thoshte se do rri dhe ca ditë.
Ai shpesh më thoshte se unë të kam bërë video dhe do të të çoj te ‘Fiksi’, gjë që e dinte edhe vajza, me qëllim që të më trembte dhe unë ta mbaja në shtëpi, ku ai hante, flinte, lahej pa lekë edhe pse ishte i ndarë nga unë. Që ishte i ndarë nga unë e dinte edhe familja ime, vajza dhe djali, si dhe shoqëria jonë. Ky gjithmonë përdorte presionin për faktin se unë jam nga Fieri dhe në Sarandë nuk kam njeri të afërt e isha vetëm me vajzën”.
“Momenti që unë jam konfliktuar me vajzën time nuk është siç paraqitet në televizor. Kam dyshimin se është montuar kjo video dhe kërkoj që të bëhet ekspertimi i saj, se ish-bashkëshorti im ka mbaruar për aktrim e regjisor dhe di të përdorë mënyrat për të bërë manipulime. Mendoj se qëllimi i ish-bashkëshortit tim ka qenë që ai të marrë kujdestarinë e djalit dhe të vajzës sime, me qëllim që të përfitojë bonuset dhe banesën që unë marr nga Bashkia Sarandë.
Për marrëdhëniet e mia me vajzën le të pyeten motrat dhe vëllezërit e mi, prindërit e mi, si dhe komshinjtë e mi, që unë kam qëllime shumë të lartë për vajzën time, kërkoj që të edukohet dhe jetë nxënëse e mirë dhe të shkojë në universitet, edhe pse jam sjellë ndonjëherë pak e ashpër, për shkaqet që përmenda më lartë. Mos qoftë njeri në kushtet dhe rrethanat e mia kur mendon se vajzën mund ta ngacmojë ish-bashkëjetuesi dhe do të jetë e qetë psikologjikisht.
Sa e dua unë vajzën time, këtë e di unë dhe Zoti në qiell, por rrethanat e mia ekonomike, sociale dhe ngatërresa me një njeri si ishbashkëjetuesi im, më ka bërë sikur unë jam përbindësh. Jo, unë jam një nënë me shumë halle, pasi jam ndarë me ishburrin e parë, kam kaluar shumë paragjykime që nga familjarët e mi deri te shoqëria, gjë që këtë dobësi e ka sh frytëzuar ish-bashkëjetuesi im, Arjan Mekollari“.