Nga Aurora Sulce, producente ekzekutive e biznesit në A2
Pandemia e koronavirusit ka detyruar qeveritë e vendeve të prekura që të hartojnë planin ekonomik të masave, për të zbutur efektet negative tek ekonomia. Pavarësisht shumave të vëna të dispozicion dhe ndihmës së kategorive më të prekura të shoqërisë, kriza ekonomike është e pashmangshme. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se koronavirusi mund të shkaktojë një krizë edhe më të thellë se ajo e Depresionit të Madh në vitet 1930. Shqipëria nuk bën përjashtim, pasi kërcënimi është global. Ndryshimi qëndron tek “përgjigjja” dhe fatura financiare që e shoqëron atë, tek ndërhyrjet e duhura fiskale dhe monetare, prej të cilave do të varet edhe ringritja, pasi emergjenca shëndetësore e COVID 19 të ketë kaluar.
Si paraqitet paketa e masave ekonomike që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në një krahasim me vendet e rajonit?
Qeveria shqiptare ka prezantuar dy paketa financiare, me një vlerë financiare në total prej 570 milionë euro, ose thuajse sa 4% e GDP-së. Por nëse zbresim dy garancitë sovrane, vlerë totale 250 milionë euro, që nuk janë shpenzime të zbritshme nga buxheti, atëherë vlera totale e dy paketave financiare zbret në 320 milionë euro, ekuivalent me rreth 1.8% të GDP-së.
Kundrejt vendeve të rajonit, në raport me Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar, fondi i vënë në dispozicion nga qeveria jonë është më i vogli. Kështu, plani i masave ekonomike të Kosovës kap vlerën e 200 milionë eurove, ekuivalent me 3% të GDP. Maqedonia e Veriut ka vënë në shërbim të ekonomisë në këtë periudhë të koronavirusit 600 milionë euro ose sa 3.6% e GDP së saj, ndërsa plani i masave ekonomike të Serbisë kap vlerën e 5.1 miliardë eurove ose sa 11% e GDP së tij.
Ndryshime mes vendeve ka edhe në mënyrën sesi është shpërndarë fondi dhe sa është numri i përfituesve. Plani A financiar i qeverisë shqiptare ose ndryshe paketa e parë e ndihmës parashikon 65 milionë euro për biznesin e vogël që ka mbyllur qepenat, të varfrit dhe ata që do të dalin të papunë nga kjo situatë. Më konkretisht, do t’iu jepet paga minimale prej 26 mijë lekë, të ashtuquajturën edhe “paga e luftës” të vetëpunësuarve dhe punësuarve të biznesit të vogël në fashën 0 deri në 14 milionë lekë xhiro vjetore. Ndërkohë që do të dyfishohet ndihma ekonomike për të varfrit. Përfitues do të jenë 60,400 persona. Me paketën e dytë të ndihmës, e ashtuquajtur paketa e zgjeruar, do të ndihmohen 176,000 persona me 40 mijë lekë secili. Këtu përfshihen 10 mijë të punësuarit në sektorin e turizmit, që sot janë pa punë; 66 mijë të punësuarit në biznesin e madh që janë nxjerrë të papunë, si dhe 100 mijë të punësuar në biznesin e vogël, aktivitetet e të cilëve nuk kanë qenë të mbyllur me ligj, por nuk kanë kryer aktivitet dhe rrjedhimisht nuk kanë gjeneruar fitime për shkak të situatës.
Pagesa do të jetë një dhe e vetme, e vlefshme deri në fund të majit dhe do të jetë e përjashtuar nga pagesa e kontributeve. Sipas një përllogaritje të thjeshtë, duke konsideruar tre muajt e izolimit, dhe si rezultat dhe i mungesës së aktivitetit ekonomik gjate muajve: mars, prill, maj, i bie që 40 mijë lekë për person të jenë të vlefshme për 3 muaj. Çka do të thotë 133 mijë lekë në muaj, që është ekuivalente në fakt me pagesën e papunësisë.
Maqedonia e Veriut do të kompensojë me pagën minimale, që në këtë vend është 236 euro rreth 250 mijë të punësuar. Fondi i vënë në dispozicion vetëm për këtë zë vlerësohet në 120 milionë euro. Kujtojmë që Maqedonia e Veriut ka një buxhet vjetor prej 3.9 miliardë euro, të njëjtë me atë të Shqipërisë.
Serbia ka parashikuar t’u paguajë pagën minimale mujore prej 250 euro për çdo punonjës të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në Serbi për një periudhë tre mujore. Pra, në total parashikohet të jepet rreth 750 euro për një punëtor. Nga kjo masë do të përfitojnë rreth 900 mijë persona. Gjithashtu, për çdo qytetar mbi 18 vjeç do të jepet një pagesë prej 100 eurosh. Fondet për mbulimin e këtyre shpenzimeve do të sigurohen nga rezervat buxhetore dhe tregu i kapitalit (nëpërmjet rritjes së borxhit).
Ndërkohë Kosova ka parashikuar në planin e saj të masave ekonomike mbulimin e shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë 170 euro, që është paga minimale, për muajin prill dhe maj, pra 350 euro në total për çdo punonjës, kundrejt një fondi total prej 41 milionë euro. Gjithashtu, do të paguhen sigurimet shoqërore për pagat me vlerë totale 8 milionë euro, si dhe do të bëhet subvencioni i qirasë deri në 50% të vlerës së qirasë për bizneset e vogla dhe të mesme, për muajin prill e maj, me vlerë totale 12 milionë euro. Për sa u përket qirave, qeveria shqiptare vendosi shtyrjen me dy muaj të pagesës për bizneset e vogla dhe banesat.
Qeveritë e vendeve të rajonit janë treguar “të guximshme” edhe në mbështetjen direkte dhënë për bizneset. Kështu, Serbia ka vendosur që pagesa e taksave të pagave dhe kontributeve do të shtyhet gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme në Serbi. Po ashtu, do të shtyhet edhe pagesa e taksës së të ardhurave të korporatave për tremujorin e dytë.
Kosova ka vendosur të sigurojë huadhënie pa interes për ndërmarrjet publike që kanë vështirësi financiare, me vlerë totale 20 milionë euro. Do të jepet mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që regjistrojnë punëtorët me kontratë pune së paku një vjeçare gjatë periudhës së situatës së emergjencës së shëndetit publik, nga 130 euro (kaq është edhe pagesa e asistencës mujore) për dy muajt pasues pas regjistrimit, me vlerë totale 6 milionë euro. Gjithashtu, do të sigurohet mbështetje për eksportuesit pas përfundimit të situatës së emergjencës së shëndetit publik, me vlerë totale 10 milionë euro. Ndërsa Maqedonia e Veriut do të hapë një Program Qeveritar për mbështetje financiare të punëdhënësve të prekur nga kriza shëndetësore-ekonomike shkaktuar nga virusi COVID-19.
Për sa i përket Shqipërisë, qeveria ka aktivizuar instrumentin e garancisë sovrane. Në paketën e parë u parashikuan 100 milionë dollarë nëpërmjet së cilës bizneset në vështirësi financiare mund të marrin kredi me interes deri në 2.85% në banka për të paguar punonjësit. Ndërsa në paketën e zgjeruar u parashikua 150 milionë euro garanci sovrane për bizneset e fasonit dhe prodhimit për qëllime të ndryshme. Për këtë linjë kredie, qeveria merr përsipër edhe pagesën e interesave. Njëkohësisht, qeveria vendosi të shtyjë tatim fitimin për bizneset deri në fund të shtatorit, me përjashtim të kompanive celulare, bankave, kompanive publike dhe zinxhirit ushqimor. Ndërsa për sektorin fason, turizmin, call center dhe biznesin e vogël, tatim fitimi shtyhet deri në fund të dhjetorit.
Në kushtet kur pandemia e COVID 19 nuk dihet sa do të zgjasë, situata mbetet dinamike. Kjo do të thotë se mund të duhen masa shtesë, gjithashtu dhe fonde. Gjithçka për të shmangur recensionin, të papranuar ende nga qeveritë e rajonit, që sot më shumë se kurrë FMN e sheh si një realitet të prekshëm./Portavendore.al