Për ekspertin e tregjeve financiare dhe profesorin e ekonomisë, Adrian Cividi, momenti i krizës shëndetësore, që tashmë është kthyer edhe në një krizë ekonomike globale, mund të shërbeje që Shqipëria të ndryshojë qasje kundrejt investimeve strategjike.
“Çdo lloj financimi që bën qeveria tani, e bën në kushtet e emergjencës. Janë shpenzime shtesë për shëndetësinë, paketat për të mbrojtur shtresat e prekura, ajo për të mbrojtur biznesin nga falimentimi dhe më pas vjen paketa financiare që ka të bëjë me periudhën e rindërtimit për periudhën post-koronavirus. Edhe Eurogrupi thekson se grupi i katërt është ndër më të rëndësishmit”, shpjegoi Civici në A2.
“Në Shqipëri duhet të shikojmë pak më tej, kur t’i rikthehemi normalitetit duhet të jemi në kushte të reja. Politikat ekonomike dhe financiare duhet t’i përgjigjen këtyre kushteve, në rast të kundërt, siç e kanë treguar vende të tjera në të kaluarën, gjendja e amullisë dhe stanjacionit ka vazhduar me muaj. Për momentin nuk më duket se kemi një vizion, sepse pothuajse 100% e diskutimeve janë përqendruar nga fakti se si do të përballonim pasojat e tërmetit, dhe tani situatën e koronavirusit”.
Sipas Civicit, ky është momentin që të shohim përtej nevojave urgjente, pasi kjo krizë tregoi edhe dobësitë që ka ekonomie shqiptare. “Një nga elementët që përmendet shpesh në post-krizën e koronavirusit është kapitalizmi digjital, që bazohet në zhvillimin e teknologjisë së informacionit, kompanitë start-up, etj. Shqipëria, fatkeqësisht, edhe para krizës, ishte në 10 vendet e fundit të botës sa i përket sofistikimit të teknologjisë. Ky është një mësim shumë i mirë që ta marrim në konsideratë dhe një pjesë të investimeve dhe financimeve në periudhën e ringritjes t’ia dedikojmë kësaj pjese. Një pjesë e madhe e shërbimeve, dhe e prodhimeve të reja dhe krijimit të fitimit do të vijë nga ekonomia digjitale. Këtë nuk duhet ta marrim si një fjalë të bukur, por si një nga sfidat më të mëdha, me të cilat do të përballet bota, do të përballemi edhe ne menjëherë sapo kriza të kalojë”, tha ai./ A2CNN