32.6 milionë euro kanë paguar shqiptarët për Sheshin Skënderbej. Para të shpenzuara përgjatë një dekade, për ti dhënë sheshit pamjen që ka sot.
Projekti i shqyrtimit të fakteve, faktoje.al, cituar nga A2 CNN sjell një faturë të tenderimeve e kostove të tjera që nga viti 2008 e deri më sot. Sa u ka kushtuar shqiptarëve ky shesh?
“Sheshi Skënderbej në total ka kushtuar 32.6 milionë euro. Nisi në vitin 2008 kur Edi Rama ishte kryebashkiak, i cili nisi të realizonte një projekt me vlerë 6 milionë euro.
Më pas vjen Basha në krye të Bashkisë së Tiranës, i cili sjell një projekt të tijin, një projekt provizor që kapi një kosto prej 6.6 milionë eurosh. Në vitin 2015 kur kryetar bashkie bëhet Erion Veliaj, ai solli përsëri projektin e Ramës me disa ndryshime dhe kostoja totale nga viti 2016, kur u dha tenderi për kompaninë Fusha dhe deri më sot ka shkuar në vlerën e 20 milionë eurove”, shpreh gazetari Andi Bora.
Edhe pse tashmë kryeqyteti e ka një plan urbanistik, është ende e paqartë nëse sheshi Skënderbej do të ruajë identitetin aktual, apo do t’i nënshtrohet sërish ndryshimeve e punimeve shtesë, në dëm të xhepave të shqiptarëve.