Ish-zv.ministrja e Ekonomisë dhe ekspertja e ekonomise Irena Beqiraj ka analizuar gjendjen ekonomike të Shqipërisë pas kësaj krize të pandemisë së koronavirusit.
Gjatë bisedës me skype me gazetarin Mustafa Nano ekspertja theksoi se kjo situatë e krijuar nga pandemia do të sjellë pasoja për ekonominë sidomos atë shqiptare.
Beqiraj gjithashtu u shpreh se qeveria nuk po vepron si duhet me pagën e luftës në kohë fatkeqësie pasi po diferencon kontributorët e sigurimeve shoqërore dhe po zvogëlon numrin e punonjësve që do të përfitojnë nga kjo pagë.
Sipas saj edhe diferencimi i biznesit të madh dhe atij të vogël nuk është vendimi i duhur.
Ekonomistja Beqiraj dha dhe sugjerimin e saj si eksperte për skemën që mund të ndiqte qeveria në këtë situatë duke sjellë shembull shtete të tjera si Anglia të cilat kanë përcaktuar një pagë universale në pjesën më të madhe të popullsisë.
Pjesë nga biseda:
Irena Beqiraj: Sot kemi 516 mijë të punësuar në sektorin privat të cilët paguajnë sigurime, 39 % e tyre janë me paga shumë të ulta çka do të thotë që janë pjesa me vulnerabël. Pra ne kemi 201 mijë punëtorë që paguajnë sigurimet dhe derdhin detyrimet në arkën e shtetit, të cilët janë të pakualifikuar, për të cilët qeveria nuk është shprehur për këtë kategori, që mund të jenë një kontingjent që mund të dalin shumë shpejt si të pa punë gjatë prillit. Ndërkohë që qeveria ka dhënë pagën e luftës vetëm për 60 421 punonjës të biznesit të vogël. Do të preferoja që qeveria të kishte futur në skemë të gjithë ata që do të dilnin si të papunë, me pagën e papunësisë se sa të vepronte me pagën e dyfishtë për një numër të caktuar njerëzish, duke lënë tërësisht në errësirë, pjesën që ka paguar sigurimet. Nuk mund të lidhet pagesa e papunësisë me faktin nëse punon në biznes të madh apo në biznes të vogël. Është e drejtë individuale për sa kohë që gjithsecili është kontributor në skemën e sigurimeve shoqërore. Problem tjetër që do të ketë efekt në të ardhmen është morali për të paguar sigurimet shoqërore, sepse dikush që ka punuar dhe ka derdhur sigurimet shoqërore, dhe ka dalë pa punë, e sot nuk i paguhet pagesa e papunësisë, në të ardhmen nuk do të ketë më dëshirë ta paguajë më sigurimin shoqëror. Ajo që po dëgjojmë është dyfishimi i pagesës për ata që kanë qenë më parë të papunë, që kanë qenë në skemën e ndihmës ekonomike dhe një pagesë sa dyfishi i pagës së papunësisë vetëm për 60 mijë punonjës. Ndërkohë që vetëm biznesi i vogël ka 174 mijë punonjës, kështu që do doja të kishte një optimizëm më të mirë ashtu siç e kanë edhe qeveritë e tjera. Angli psh. Ka ofruar një pagesë universale për të gjithë të punësuarit, ndërsa Amerika një pagesë universale për çdo adult.
Mustafa Nano: Që të jemi më të qartë, qeveritë sot ndodhen në një moment dramatik sepse paratë që qeveritë paguajnë janë nga taksapaguesit, por taksapaguesit janë njerëz që punojnë, në një kohë që fabrikat mbyllen e të gjithë janë kyçur në shtëpi, qeveritë ku duhet ti gjejnë paratë?
Irena Beqiraj: Në këto kushte edhe qeveria nuk do të mbledhë para dhe do të bien të ardhurat. Të paktën në aktin e parë normativ, qeveria i ka rishikuar të ardhurat me 200 milion dollarë ulje, po çfarë propozojnë ekonomistët dhe çfarë po bëjnë qeveritë e tjera. Po ofrojnë atë që quhet monetarizim i borxhit, pra qeveritë do të marrin borxh nga bankat qendrore dhe bankat qendrore do të hemetojnë para për ta përballuar këtë borxh, ndryshe quhet lehtësimi kuantitativ. Ky është borxh që i shtohet borxhit që ekziston por duke qenë se është i brendshëm mendohet se qeveritë do ta munden ta përballojnë atë. Një mënyrë tjetër që unë kam propozuar në një nga shkrimet e mia do të ishte që të kishte një emetim parash e cila të falej e të kalonte si grant qeverisë shqiptare në mënyrë që borxhi të mos rritej. Kjo është një mënyrë që e propozon Seydman i cili është një profesor i Oxford-it dhe po e mbron fort këtë ide duke thënë që; ne mund të dalim nga depresionet dhe recensionet e forta vetëm duke i dhënë para qeverisë për të menaxhuar kriza të kësaj natyre. Nëse ne do ta menaxhojmë vetëm duke marrë borxh në bankat e nivelit të dytë apo aq më keq duke dalë jashtë në tregjet financiare, të cilat do të kenë edhe kosto financiare, ne do të kemi shumë probleme edhe me inflacionin. Atëherë do të gjendemi në kushtet e një konsolidimi tjetër fiskal i cili nuk do i bënte mirë ekonomisë tonë në afat të gjatë. Kështu që unë do i propozoja qeverisë dhe bankës së Shqipërisë që të dilnin nga ajo që quhet zona e komfortit dhe nga politikat tradicionale, sidomos monetare, siç ishte ulja e normës së interesit që është tradicionale dhe nuk do të japë ndonjë rezultat të ndjeshëm në përmirësimin e ekonomisë por mund të shohim edhe mundësinë e emetimit të parave.
Mustafa Nano: Duket situatë shumë dëshpëruese për ne shqiptarët, ne sapo kaluam një tragjedi, sic ishte ajo e tërmetit.
Irena Beqiraj: Ajo që është shumë e rëndësishme që duhet të kuptojmë është se ne jemi një ekonomi e ndërvarur nga ecuria e partnerëve tanë ekonomikë siç janë kryesisht vendet evropiane. Ajo që më bën përshtypje është optimizmi i qeverisë në këto kushte, i parashikimeve financiare dhe financave publike, ku kam dëgjuar një nga anëtarët e qeverisë që është shprehur se rritja ekonomike në Shqipëri do të jetë të paktën 2 % gjatë 2020. Pra i bie që gjatë vitit 2020 Shqipëria të rritet më shumë se sa Kina, më shumë se sa fuqia e dytë ekonomike në botë. Mendoj se do të futemi shumë shpejt në një situatë të vështirë ekonomike por jo të pakapërcyeshme nëse do të veprojmë si duhet dhe nëse do të veprojmë shpejt, sidomos në ndihmën që do i japim biznesit dhe sidomos nëse bëhet kjo ndarja biznes i madh dhe biznes i vogël. /abcnews.al