Qeveria pritet të vendosë për të liruar nga burgu një sërë të dënuarish apo të paraburgosurish për vepra të ndryshme penale, me qëllim që të ulë numrin e të burgosurve, si masë për parandalimin e koronavirusit.
Ministria e Drejtësisë u ka nisur një kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë që të nxjerrin udhëzime për aplikimin e masave për dënime alternative.
Në kërkesë thuhet se nëpër burgje dhe paraburgim ndodhen rreth 5 200 persona, nga të cilët 2 600 janë të dënuar dhe 2 600 janë të paraburgosur.
Për sigurinë e tyre kujdesen rreth 4050 punonjës.
Ministria kërkon që për personat që janë nën hetim, të jepen vendime alternative. Dënimet alternative jepen për vepra të lehta penale, si vjedhja, mashtrimi, armëmbajtja pa leje apo aksidentet rrugore. Kështu, nga kjo kërkesë pritet që nga burgjet të dalin hajdutë, mashtrues apo persona të tjerë me precedentë penalë.
Televizioni Klan mëson se veç të paraburgosurve, mund të lirohen edhe të dënuar për këto vepra e të tjera, për të cilat parashikohet dënimi alternativ.
Bëhet fjalë për të dënuar mbi 60 vjeç, apo që vuajnë nga sëmundje kronike, të cilët nuk kanë përfituar nga amnistia e miratuar së fundi në parlament.
Ministria u kërkon 3 institucioneve që të veprojnë në një kohë sa më të shpejtë, çka do të thotë se mjaft biznese që kanë ulur qepenat me urdhër të qeverisë, do të duhen të shqetësohen se një numër i konsiderueshëm hajdutësh do të jenë sërish të lirë.
Tv Klan