Nga Eda Derhemi
Për kë ndryshon Tirana? Për ambasadorët buzagazë me sy të qelqtë që janë “në garë” kush të vijë në Tiranë? Për “vip-at nga vende serioze” të cilët veç Tirana i sjell në terezi? Për miqtë e kryeministrit tonë artist? Për ata që do na gjykojnë e masin nëse jemi prerë apo jo për në BE? Për të thënë se kemi ndërtesën më të lartë në Ballkanin Perëndimor?
80% e fjalës së kryeministrit Rama për 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet, nuk iu dha Tiranës së njerëzve, por Tiranës së ambasadorëve dhe të vipave – që, pasi e shohin, bëjnë kryq për Tiranën(!) Ai u përçap të na bindë të gjithë ne që s’kuptojmë, se Tirana është flori, dhe prova është se ashtu e shohin atë ata që marrin rroga prej tjetërkund, dhe në Tiranë vijnë të gëzojnë nja katër vjet fuqie absolute blerëse dhe politike. “Shikoni si u shkëlqejnë sytë ambasadorëve”, thotë kryeministri. Nuk imagjinoj të ketë pasur fjalë që t’i ketë dhënë më pak dinjitet Tiranës dhe tiranasve sesa përçartja prej dandy të llastuar e të papërgatitur e kryeministrit. Historitë pa kripë që kallëzoi dhe sidomos pa ndjeshmëri prej njeriu që përfaqëson një popull hallexhi, fyejnë Tiranën. Gjëja themelore që u pa nga fjala e kryeministrit, ishte se e ka humbur krejt kontaktin me Tiranën e vërtetë dhe me njerëzit realë të saj. Të njëjtat teori të vjetruara e meskine që defteroi atje, ndoshta na bënin të gjithëve të na dukej vetja cool në vitet ’90 të shekullit të kaluar; por jo sot. “Amerika jonë e vogël!” “Tirana që të disiplinon!” “Tirana ku secili çon përpara fiksimin dhe protagonizmin e vet!” “Tirana që siç prodhon gjithçka me shumicë, prodhon me shumicë edhe energji autoshkatërruese!” Tirana, një delir mbushur me delirantë, që, me këtë rast, kryeministri do e pranonte pa keqardhje edhe si tipar të vetin. Në ç’qiej fluturon, kryeministri im? Në ç’livadhe e baret mendjen? Si do ia bënim qejfin vetes kur ishim të rinj, veçse me kësi mediokritetesh elegante?! Edhe tani e them ndonjë histori si këto lidhur me absurdin shqiptar kur jam pakëz e dehur(!). Por, kryeministri im, ti nuk je më 20-vjeçar. Dhe, sidomos, tani je kryeministër! Por, ajmè: ligjëratën e vet prej djaloshi rebel të Tiranës së viteve ’90, kryeministri nuk e mbajti për tiranasit, por që të zaliste ambasadorët dhe ambasadoreshat.
Krijimi i disa pikave qendrore me denduri ndërtesash shumëkatëshe, estetikën e të cilave nuk e diskutoj këtu, – që mund të kishin vlerë në New York a Chicago por jo në Tiranë – e kanë ndarë qytetarin nga qyteti dhe e kanë bërë atë të huaj ndaj qendrës së vet. Në pjesën e parë të këtij shkrimi për Tironën dhe nostalgjinë, trajtoj dy rima të thjeshta fëminore (ose familjare) të një kohe kulturore në dukje të largët, që paradoksalisht nuk është aq larg. Linja logjike themelore që ndjek narrativa tironase që kallëzoj aty, është se kultura e qytetit, në thjeshtësinë njerëzore dhe natyrën rrethanore që e ka mbarsur në shekullin e fundit, sado e vjetruar, ka pasur një lidhje të natyrshme me Tironën: si me ambientin natyror, si me atë të ndërtuar të qytetit. Shekulli i 21-të e ndryshoi Tiranën, “me në njërën dorë busullën e mafias politike, e në tjetrën timonin e fadromit dhe betonierës”, në mungesën totale të një planifikimi urban afatgjatë, human dhe historikisht të ndjeshëm. U shkatërruan sistematikisht ambienti natyror dhe ai i ndërtuar, duke vrarë hapësirat njerëzore komunitare tradicionale, gjelbërimin brenda qytetit dhe vijën qiellore qytetase (skyline); ndoshta, përgjithmonë. Kjo është mënyra si shkatërrohet më tej një komunitet qytetar, i tronditur e i copëzuar ndërkaq nga një vazhdë ngjarjesh historike ku e vetmja gjë e pandryshuar ka qenë varfëria. Nëse udhëheqësit tanë politikë pretendojnë se do bëjnë njujorkez qytetarin e Tiranës (që si qytet tashmë u afrohet përmasave të metropolit), duke i ngritur atij një tufë me pallate gjigante që ai i sheh nga poshtë lart — i papunë dhe fukara siç është — tregojnë padije ose ligësi e mashtrim.
Kryeministri thotë se Tirana është “eklektike”, “me katër pamje, katër kohë e katër botë të ndryshme që i sheh të katra, mjafton të rrotullohesh”, thua se është lloji i kafshës i tillë dhe nuk e kanë bërë me katër (a 100) fytyra ky kryeministër dhe ata para tij, bashkë me shpurën e kryebashkiakëve. “Tirana u ndërtua nga shumë duar”, thua se kryeqytetet e tjera i ka ndërtuar një dorë e vetme. Kryeministri qahet prapë ndaj ankesaxhinjve edepsëzë që thonë se “Këtu s’jetohet! Të mbyt betoni!”, thua se duhet shumë që të shihet se në Tiranë (dhe qendra të tjera urbane) vërtet të mbyt betoni, e parqet qytetase janë të rralla ose joekzistuese! Për alarmistët urrejtës kryeministri ka prova që tregojnë se në Tiranë s’të mbyt betoni: “Ata që vijnë, duan gjithnjë të kthehen.” Prapë këtu, ai u referohet të huajve dhe vip-ave duke treguar se e ka humbur simiten, Xhaferrin dhe Tiranën bashkë. Kryeministri im: edhe im shoq joshqiptar dhe vajzat e mia e duan Tiranën, u duket e bukur dhe e zbukuruar, dhe duan të rikthehen aty çdo vit! Njoh kosovarë që thonë të mahnitur sa e pashme është Tirana! Por ata nuk kanë dhe nuk ka pse ta kenë sensin mbrojtës apo kritik ndaj Tiranës që ka tiranasi i palidhur me pushtetin. Ata nuk janë qytetarët e zakonshëm të Tiranës; nuk kanë jetuar, nuk jetojnë dhe nuk duan të jetojnë aty. Hapi sytë, kryeministri im, të shohësh cilët janë ata që janë të kënaqur me Tiranën sot, dhe do shohësh se janë ose njerëz që paguhen direkt nga jashtë Shqipërie, ose janë njerëz pagesa e të cilëve ndërthuret me interesa e lidhje të veçanta ekonomike pushtetare, me fondacione, shoqëri civile, shoqata ndërkombëtare etj. Janë të gjithë njerëz me trajtim të veçantë ekonomik a politik, dhe që Tirana u jep mundësinë e vetme të jenë sipërorë apo të katapultohen nesër në pozicione ndërkombëtare që pa Tiranën politike nuk do i siguronin dot. Herën tjetër, bëj gajret, leri ambasadorët në selitë e veta, dhe merru me kategorinë më të madhe dhe më të pashpresë që përfaqëson Tiranën: pleqtë dhe të rinjtë e Tiranës.
Festimet zyrtare që iu bënë Tiranës më 11 shkurt dhanë versionin origjinal të pëlhurës që kryeministri end në kryet e vet për të justifikuar këtë lloj Tirane që ai e ka mataruar edhe më keq se paraardhësit e vet. Bazuar në ambasadorë e vip-ër kryeministri konkludon: “Keq nuk jemi. Ka edhe më keq!”; dhe se “Mbasi ke qenë në Tiranë, s’ka kontinent që ta mbush syrin!”. Si s’ka kontinent që ta mbush syrin, kur shqiptarët s’dinë nga të marrin vrapin, dhe vendi vazhdon të boshatiset?! Ndërkaq, siç kryeministri e di, Shqipëria vazhdon të mbajë krenare flamurin e varfërisë europiane, dhe Tirana e ka papunësinë edhe më të lartë se mesatarja e Shqipërisë; 4% më të lartë thuhet, por jam e sigurt që shifrat reale të papunësisë absolute dhe relative janë më të larta sesa shifrat që vijnë nga Tirana zyrtare dhe institutet nën kontroll të saj. Kur të kemi 110 vjetorin, merru edhe me NE njerëzit që sorollaten por s’guxojnë të pinë kafe në qendër, që kruajnë xhepat, marrin autobusë për periferitë e Tiranës, që kur kemi një hall nuk kemi as këpucë e as gojë t’u afrohemi institucioneve, që kemi frikë të shkojmë tek doktori se s’dimë ku rri e çfarë t’i japim, që vdesim kur duhet të jetonim, që s’dimë a të kthehemi në katundin nga i sollëm kalamajtë në kryeqytet apo t’ia mbajmë më këmbë për në Amerikë e Kanada.
Ndryshe nga të tjera kryeqytete, ne e patëm mundësinë që, pas socializmit, të ndërtonim një kryeqytet të mrekullueshëm e njerëzor, modern por me karakter, të veçantë dhe po aq të ëmbël, me një kënd ku pasaniku mëkatar dhe ai me më pak haqe për të larë, të argëtoheshin dhe jetonin si donin, por ku qendra t’i takonte pjesës qendrore qytetare, mesit tonë. Këtë fat që patëm, e shkelëm dhe e përmorrëm, e shfrytëzuam për më të ligat e më tekanjozet dëshira. Tirana është qytet shqiptar, ballkanas dhe mesdhetar. Edhe si kryeqytet ashtu duhet të jetë: shqiptar, ballkanas dhe mesdhetar. Kultura qytetase e saj është pikërisht kështu; por arkitektura jonë e shtuar e hedh shurrën përpjetë, dhe nuk është asnjëra prej të trejave. Kultura dhe historia nga një krah, dhe arkitektura e Tiranës në tjetrin, i kundërvihen çdo ditë e më fort njëra-tjetrës. U është shkuar kundër njerëzve dhe kulturës lokale dhe është krijuar ndërprerja kulturore së cilës i referohem në pjesën e botuar më parë. Nuk u realizua asnjë plan që t’u kish hije e t’u bëhej konak tiranasve sot dhe nesër.
Problemet themelore që kam me qendrat “qiellore” të Tiranës janë se ato dënojnë tiranasin normal duke ia treguar me gisht vobektësinë; gjithashtu, sepse janë shenjë ulëritëse e suksesit të korrupsionit ekonomik e politik shqiptar. E së fundmi se e masakruan thelbin dhe imazhin e Tiranës në një mënyrë të pariparueshme. Dhe arsyet janë të lidhura mes tyre. Zarët e të frikësuarit prej kryeministrit ndryshojnë ligjet që mbrojnë qytetin, bëjnë sikur flenë apo sikur lumturohen nga shendi lokal e jeta aktive, zhvendosin vëmendjen në tjetër kah, shpërndajnë rastësishëm “shprehjet” dhe direktivat kryeministrore nëpër media sociale sikur t’u vinin natyrshëm. Mileti fle. Ndoshta si edhe unë ata s’dinë nga t’ia mbajnë se s’dinë për kë mund të votohet e kush sjell ndryshim që u vlen njerëzve. Ja iku Rama & Co., por kush do vijë?! Tiranasi është në gjendje të dëshpëruar. Mos u mashtroni nga sasia e kafeneve a birrarive dhe frekuentimi i tyre: ato nuk janë shenjë e mirëqenies dhe energjisë, por fasadë për ideologët e pushtetit dhe ambiente ku hutohet fukarai e miklohet prekariati, shtresa më e gjerë sociale sot. Por arsyeja prapa ndërtimeve tona pa moral e pa kuptim nuk është dëshira për të kapur qiejt e zhvillimit; ajo është, në të kundërt, vetja e shitur dhe alibia që i japim mafia-s ndërtuese dhe asaj shqiptare të çdo lloji. Sa shoh e sa lexoj më bind që prishja e Teatrit Kombëtar (që qeveria e përgjon si vdekje të paralajmëruar, varrin e të cilit ka kohë që e ka hapur por e ka maskuar nga sipër me sherbelë), si dhe ndërtimi i aq ndërtesave Tirana-prishëse në disa pika qendrore të qytetit, nuk janë akte nevoje a pamundësie për alternativë. Dhe pres (me vjet e pres me ditë) që këtë pjesë, gjithë shkatërrimin arkitekturor të Tiranës si edhe manovrimet politike me karakter ligjor, si dhe ato ekonomike nëpërmjet tenderimeve dhe lëvizjes së parave, t’i investigojë e paraqesë shkencërisht një grup institucional i pavarur. Aq më mirë, një grup akademik ndëruniversitar në Shqipëri. Por mos qoftë opozita e tanishme ajo që t’ia bëjë këtë peshqesh vetes dhe dhe të rigjunjëzojë Tiranën. Ishte e turpshme ajo festa treshe që iu bë Tiranës në tri vende të ndryshme ku presidenti dhe kryeministri me krybashkiakun i bënin karshillëk njëri-tjetrit: një- i nënës, dy- i nënës, tre- i nënës. E njerkës- mbeti veç Tirana. Sikur ka tiranas që nuk e di se presidenti Meta nuk e rruan për Teatrin, por e ka zar kundër armiqve për pushtet.
Tirana nuk do ngelet kurrë pa dashurinë time. Dhe pa dyshim do ketë edhe dashuri të frekuencave e ngjyrave të ndryshme prej qindra-mijëra njerëzve qe jetuan dhe jetojnë aty. Sado të ma prishin e tëhuajnë, unë e rindërtoj si dua, dhe e bëj rishtas timen Tiranën. Por unë kam më shumë vjet jetuar sesa për të jetuar, dhe e kam këtë aftësi magjike ta rindërtoj, që është thurur prej shumë e shumë vitesh me kujtime dhe ëndrra të çmendura! Ëndrrat e mia të para dhe më të fortat lindën e u rritën në Tiranë; si edhe ato të kryeministrit. Por, sa më të rinj banorët e saj, aq më fort do u rëndojë qyteti që nuk u bë për ta, por për të larë para të pista e për të fituar zgjedhje – një qytet që u kujton se janë pa punë e pa mjete, që kanë kryer e kryejnë shkolla pa vlerë, ku modeli i suksesit është delenxhiu dhe mizori, ku gjetën shumëkatësha por jo dinjitet për veten, një qytet kujtimet themelore prej të cilit u lidhen me ëndrrën për të ikur në një tjetër qytet apo kryeqytet të botës. Ëndrra e tyre nuk ka lidhje me Tiranën, në paçin ëndrra fare. Këta janë nënat dhe baballarët e Tiranës së ardhshme. Tirana nuk duhet të jetë ëndrra ime, dhe sidomos nuk duhet të jetë qyteti që ndërtojmë për Ndërkombëtarët, as ambasadorë dhe as vip-a. Kryeqytetin duhet ta ndërtojmë për ata që vijnë pas e ta afrojmë me ta, me ata si “konsumatorë” të mençur e moralë të kryeqytetit. Që korrupsioni ulëritës i shumëkatëshve të pushojë, duhet që energjia të mos shkojë tek dukja boshe e Tiranës, por tek shkollimi i mirë dhe punësimi i të rinjve (jo nëpër fushata partiake dhe Call Centers). Kur kryeministri të kishte zgjidhur ca nga këto çështje, atëherë mund edhe t’ia lejonte vetes të përmbushte një biçim “fiksimi” apo “protagonizmi” me qytetprishësa. Një, ama! Dhe fjalimin tjetër për Tiranën, kryeministri im, nise me një anë pozitive të saj që s’lidhet me ty, por që e njohim dhe e ndajmë me ty të gjithë ne që e duam e na dhemb ai qytet: është një qytet me shumë shumë diell Tirana.