Nga Prof. Forcim Softa
Tërmetet në Shqipëri treguan qartë se projektimi sipas standardeve europiane redukton ndjeshëm dëmet dhe rrit qëndrueshmërinë e ndërtesave. Sot, më shumë se kurrë, kemi detyrimin të garantojmë sigurinë dhe jetën e qytetarëve.
Zbatimi i Eurokodeve është një hap thelbësor për rritjen e sigurisë, cilësisë dhe qëndrueshmërisë së ndërtimeve në vend. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është harmonizimi ligjor dhe teknik me vendet e Bashkimit Europian. Kjo krijon një gjuhë të përbashkët profesionale, rrit besueshmërinë e projektimit dhe të ndërtimeve, si edhe forcon besimin e investitorëve të huaj. Në këtë kuadër, Eurokodet janë një kërkesë e domosdoshme për integrimin teknik dhe ekonomik të Shqipërisë në Europë.
Prej vitesh po humbet kohë në procesin e plotë të ligjërimit dhe unifikimit të tyre. Edhe pse pranohet se Eurokodet janë miratuar si standarde, zbatimi praktik i tyre mbetet ende i paplotë.
Aktualisht, mund të thuhet se tetë volumet kryesore janë përkthyer në mënyrë profesionale, ashtu si në çdo vend tjetër europian. Megjithatë, mungesa e Aneksit Kombëtar me të dhënat e domosdoshme lokale tregon se ato janë më shumë të përkthyera sesa realisht të implementuara. Vetëm parametrat lokalë për projektimin sizmik nuk mjaftojnë për të projektuar të gjithë strukturën e një ndërtese. Të gjitha Eurokodet janë të domosdoshme, jo vetëm për projektimin, por edhe për zbatimin korrekt në kantier.
Kontrolli i projekteve duhet të mbështetet mbi kode të qarta ligjore dhe teknike, dhe jo mbi interpretime apo opinione individuale të projektuesve që u referohen praktikave të vendeve të ndryshme europiane. Problemi bëhet edhe më i ndërlikuar kur projektimet realizohen në qytete të ndryshme të vendit.
Në vendet europiane, Eurokodet mbështeten nga një rrjet i fortë institucionesh, çka e bën zbatimin e tyre të organizuar dhe të detyrueshëm. Për këtë arsye, edhe Shqipëria duhet të investojë në trajnimin e inxhinierëve, hartimin e parametrave lokalë dhe përfshirjen e specialistëve të fushës.
Shpresojmë që institucionet shtetërore të angazhohen seriozisht për të përshpejtuar zbatimin e plotë të Eurokodeve. Ky është një hap i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së ndërtimeve, garantimin e sigurisë publike dhe krijimin e një mbështetjeje konkrete për projektuesit shqiptarë dhe të huaj.








