Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në qytetin e Gjirokastrës për një takim me studentët e universitetit të Gjirokastrës “Eqrem Çabej”, për të prezantuar “Paktin për Universitetin”.
Çështja e largimit të infermierëve dhe doktorëve drejt perëndimit është bërë qendër e një debati mes një studenteje dhe kryeministrit Rama.
Pjesë nga debati:
Studentja: Po shikoj njerëzit e mi që po ikin, po shoh realitetin. Po shoh në spitale. Po ikin infermierët në Gjermani.
Rama: Mos më ndërprit. Dija është prova, dija është argumenti. Ku po e shikon. A po ikin njerëz në Gjermani, po po ikin dhe do të ikin, sepse nuk jemi në bunkerin e shokut. E kam problem debatin pa fakt. Është e vërtetë se kthehen më pak se sa ikin. Kjo iu ndodh të gjitha vendeve të BE-së.
Mjekët kanë ikur, patjetër që kanë ikur dhe kanë për të ikur. Po mungesa në spital nuk vjen për këtë, sepse ishin penguar specializimet e reja. Ne kemi vënë një bonus për mjekët specialistë nëse pranojnë të shkojnë në rrethe.
Ajo që infermierët kanë ikur të gjithë në Gjermani dhe këtu kanë mbetur bosh spitalet është legjendë. Janë të gjitha të pavërteta, historira kazani, nga të cilat po vuan e gjithë bota, jo vetëm Shqipëria. Janë lajme të rreme. Nëse je e zonja, nuk diskutohet që ke një rrugë për të punuar në shtet. Nëse të tjerët janë më të zotë do presësh. Fakti që ke një diplomë, në sistemin që kemi zgjedhur nuk është detyrim i shtetit të të gjejë një punë.
Më herët qytetarët kanë dalë në protestë, duke tentuar të bllokojnë rrugën nacionale Tepelenë-Gjirokastër, në të cilën do të kalonte kryeministri Rama. Për të kontrolluar protestën dhe çdo incident ka patur forca të shumta policie, të cilat kanë krijuar një kordon për të mos i lejuar qytetarët që të zënë rrugën.