Dy javë pas tërmetit të nëntorit 2019, Bashkia Tiranë kontraktoi 415 mijë euro për vlerësimin e 22 ndërtesave publike në pronësi të saj, kopshte, shkolla dhe konvikte.
Sikurse njofton buletini i prokurimeve publike, më 13 dhjetor 2019, Bashkia Tiranë ka lidhur 17 kontrata konsulence me 7 kompani, me negocim direkt, pa bërë thirrje paraprake për oferta, por duke i kontaktuar direkt vetë kompanitë.
Bashkia ka paguar mesatarisht rreth 19 mijë euro për vlerësimin e një ndërtese të vetme, çfarë duket shumë marramendëse.
Firma Net Group shpk është përfituesja kryesore monetare me €135 mijë në Total. Ajo është paguar €113 mijë për vlerësimin e dy ndërtesave dyshe në Qytetin Studenti—konviktet 20-21 dhe 22-23—dhe €22 mijë euro për vlerësimin e ndëtesës së shkollës 9-vjeçare “Hasan Vogli”.
Firmat Instituti Dekliada shpk, Taulant shpk dhe Arkonstudio kanë fituar nga tre kontrata secila. Taulant shpk është paguar rreth €67 mijë për vlerësimin e shkollave “Mangull”, “Emin Duraku” dhe “Asim Vokshi”; Arkstudio u pagua €35 mijë vlerësimin e shkollave në Pajan, Pezë e Vogël dhe Pezë Helmes; Instituti Dekliada u pagua 30 mijë euro për 2 kopshte dhe një shkollë në Gurrë.
Arkonstudio është kompania që, sikurse Exit News ka hulumtuar, figuronte fiktivisht në letër si projektuese e shkollës Servete Maçi, për të mbuluar përfiutuesin e vërtetë firmën StudioArch4, drejtuesit e së cilës janë ish-punonjës të Bashkisë Tiranë.
Kontraktimet e Bashkisë Tiranë gjallin edhe më shumë dyshime nga fakti se disa nga ndërtesat objekt i kontratave, ishin vlerësuar më parë dhe gjendja e tyre ishte bërë e njhur publikisht.
Më 9 dhjetor, në ditën e rifillimit të mësimit, Ministria e Arsimit bëri publike një listë me shkollat që nuk do hapeshin, pasi ishin vlerësuar me dëme serioze. Mes tyre bënin pejsë edhe shkolla — si ajo në Pezë të Vogël dhe shkolla në Pajan — për vlerësimin e të cilave Bashkia Tiranë vendosi një javë më pas të paguante dhjetëra mijëra euro.
Ky fakt ngre dyshime se kontratat e Bashkisë Tiranë për vlerësimin e këtyre ndërtesave mund të jenë fiktive. Më 8 janar mediat publikuan të plotë listën e shkollave të vlerësuara, 13 prej tyre ishte vendosur të rindërtoheshin.
Zgjedhja e procedurës së kontraktimit me negocim direkt, pa shpallje dhe pa konkurencë, duke kontaktuar në mënyrë arbitrare firmat që kanë dashur është një procedurë që lë të hapur çdo lloj abuzimi.
Kjo lloj qasje Bashkisë Tiranë i është mundësuar nga procedurat emergjente të lejuar me vendim qeverie në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, gjendje e cila është shtyrë deri në fund të muajit mars 2020./Exit.al/