Nga Prof.Dr. Forcim Softa
Çdo vit ka mbi 100 mijë tërmete që ndihen nga njerëzit në të gjithë botën. Nga pikëpamja sizmike, Shqipëria është pjesa më aktive e rajonit të Ballkanit dhe ka një histori tërmetesh të mëdha dhe të shpeshta.
Shkencëtarët thonë se deri tani nuk ka asnjë metodë shkencore që parashikon tërmetin në kohë dhe në madhësi.
Tërmetet nuk kanë lidhje me thatësirën apo shirat e rrëmbyeshëm. Cilësia e projektit duhet të sigurojë atë që pas çdo tërmeti, struktura të ruajë formën e saj pa dëmtime konstruktive.
Tërmeti ndodh në mënyrë të rastësishme dhe sizmologët mund të parashikojnë vetëm zonat më të rrezikuara në Shqipëri. Njerëzit duhet të mësohen që pas një tërmeti të madh ka pasgoditje, pra tërmete më të vogla që zgjasin deri në stabilizimin e plotë.
Kur banesat nga goditja e parë kanë dëmtime konstruktive të rënda, nga pasgoditjet ato do të shkatërrohen plotësisht. Ky fenomen ndodh edhe ndërmjet dy tërmeteve në distancë kohore. Kështu, objektet e dëmtuara nga tërmeti i shtatorit duhet të bëheshin të pavlefshme dhe të largoheshin banorët. Vlerësimi i aftësisë mbajtëse të objektit bëhet me ekspertizë shkencore dhe jo me akte konstatimi. Në një artikull që kam botuar në gazetën “Dita”, në gusht 2018 me titull “Inspektimi dhe certifikimi i veprave të ndërtimit” kam shprehur mendimin për domosdoshmërinë e vlerësimit të aftësive mbajtëse të ndërtimeve para dhe pas viteve ‘90, duke i certifikuar.
Kjo gjë zbatohet në praktikën ndërkombëtare, ku ndërtimeve në periudha çdo 20 vite duhet t’u bëhet rivlerësimi dhe certifikimi.
Nga ndikimi i faktorëve atmosferikë, si lagështia, ngricat, ndërhyrjet në skemën konstruktive për të ndryshuar destinacionin, veprimi i tërmeteve, veprimi i erës, mungesa e mirëmbajtjes etj., bëjnë që aftësia mbajtëse e strukturës të dobësohet.
Pra, në objektet e vjetruara fshihen rreziqe, që janë në pritje të aktivizohen, kur tërmeti troket.
Certifikimi do të vlerësonte edhe ndërhyrjet në objekt, shtesat e kateve apo anësore pa leje, risku i ndërtimeve në toka të llumëzuara etj.
Për të shpjeguar në formë praktike fenomenin e lëngëzimit, po iu paraqes një eksperiment. Qëndroni në këmbë pranë buzës së detit, lëvizni këmbën lart e poshtë me një frekuencë për rreth 1 herë në sekondë dhe do të shihni se brenda disa sekondash rëra e fortë do të fillojë ta humbasë forcën dhe gradualisht, do të fundoseni deri në kyçin e këmbës. Lëngëzimi është një nga efektet më shkatërruese të tërmeteve. Po kështu, i njëjti fenomen ndodh në tokat ish-kënetore, siç është rasti i zonës në kënetën e Durrësit.
Tërmeti që ra, me magnitudë 6.4 ishte shumë i fortë dhe ishte e pamundur të mos shkaktonte dëme. Ky tërmet ishte i cekët dhe kjo është një ndër arsyet përse u ndje shumë në ndërtimet tona.
Referuar kësaj magnitude, ndërtesat në përgjithësi, reaguan mirë. Dëmtimet janë në banesa të ulëta dhe të larta, në strukturat mbajtëse, në objekte me lartësi 4 deri 7 kate. Inxhinierët projektues në Shqipëri e kanë aftësinë për të hartuar objekte që t’i rezistojnë tërmetit. Qëndrueshmëria e objekteve varet shumë nga cilësia e tokës. Objektet e ndërtuara pa projekt konstruksioni, si dhe ato që kanë shtesa të pamiratuara nga projektuesi dëmtohen nga tërmeti, madje ndodh edhe shembja e tyre.
Shumë objekte të larta me strukture betonarme, meqë janë elastike, ato kanë pësuar çarje të muraturës. Këto mure nuk janë mbajtëse dhe nuk paraqesin rrezik në qëndrueshmërinë e objektit. Këto çarje riparohen lehtësisht, pasi situata të qetësohet.
Lidhur me problemin, a duhet të ndërtohet në zona bregdetare? Sipas mendimit tim, edhe në botë, bregdeti është i zhvilluar me ndërtime shumë të larta, pasi është kërkesë bazë e turizmit. Të bësh këto ndërtime në bregdet ka kosto të lartë. Sipas kërkesave të inxhinierisë së themeleve, gjeologëve dhe sizmologëve bëhen zgjidhjet e duhura që garantojnë plotësisht qëndrueshmërinë. E rëndësishme është thellësia e objektit nën tokë dhe nëse duhet përdorimi i pilotave. Pa marrë përsipër qëndrueshmërinë e objektit mbi 20 kate në rërë në plazhin e Durrësit, thellësia e inkastrimit prej 3 katesh e shpëtoi nga ky termet. Vërtetë para viteve ‘90 kishte kërkesë të mos ndërtohej në bregdet, por kjo ishte politika e sistemit për probleme ekonomike dhe zhvillimit të turizmit.
Ndërtesat para viteve ‘90 dhe më pas janë projektuar me kushtet teknike të viteve ‘89. Këto kushte teknike po të zbatoheshin saktë e siguronin aftësinë mbajtëse nga veprimi i tërmeteve. Vitet e fundit janë futur Eurokodet, që edhe vendi ynë të projektojë me të njëjtat standarde si shtetet e Europës. Sigurisht, që zbatimi i Eurokodeve çon në një siguri më të madhe në projektim, por e rrit koston e objektit në masën rreth 10 deri 15%.
Këto kushte janë adoptuar për vendin tonë, por ende nuk janë ligjëruar që në projektim të përdoren vetëm ato. Shumë projektues punojnë me Eurokode me iniciativën e tyre.
Forca e tërmetit vlerësohet me termin “Magnitudë”. Tërmeti i 26 nëntorit ishte me Magnitudë 6.4. Në gjuhën popullore përdoret më tepër vlerësimi me “Ballë”. Referuar ekuivalencës, Magnituda 6.4 është 9 Ballë. Mendoj që në Durrës, kjo vlerë është e përafërt me normat e vjetra të projektimit. Duke shprehur opinionin tim, mendoj se dëmtimet nga tërmeti kanë ardhur nga:
-
- Mungesa e masave mbrojtëse për ndërtimet në toka me bazament të paqëndrueshëm (zonë bregdetare dhe ish-Këneta).
- Ndërtime pa leje dhe pa projektues të specializuar.
- Shtesa katesh dhe shtesa anësore.
- Nga dëmtimet strukturore të tërmeteve të mëparshme.
- Moszbatimi brezave dhe kolonacinave beton-arme antisizmikë në muraturën me tullë mbushëse. Këta elementë konstruktivë duhet të lidhen me kolonat e strukturës dhe trarët me fitila hekuri.
- Cilësia e dobët e llaçit të muraturës dhe e suvatimeve, pa bërë analiza të përbërsve. Ky produkt përgatitet nga punëtorë të pakualifikuar.
- Mos përputhja me Eurokodet e formës në plan të objektit me shumë thyerje, gjë që nuk është e përshtatshme në zonat sizmike.
- Mungesa ose pakujdesia e supervizorit në punimet e rifiniturës.
Për vlerësimin e aftësisë mbajtëse të objektit, në veçanti ndërtimet e larta, bazuar në praktikën ndërkombëtare, duhet të bëhet testimi eksperimental. Kjo realizohet me pajisje që montohen në objekt, duke imituar tërmet të padëmshëm për strukturën. Ky testim përcakton vetitë dinamike të strukturës, frekuencat, format e lëkundjeve, zhvendosjet, përdredhjen e objektit. Nuk mund të vlerësosh aftësinë mbajtëse, duke vizituar me sy dëmet e dukshme.
Madje, në emisione televizive jepen mendime nga specialistë për qëndrueshmërinë bazuar në foto apo me përshkrimin e banorit në telefon. Ekspertiza kërkon studim të vëmendshëm të gjendjes, ballafaqimin me projektin, sondazhe për themelin dhe strukturën vertikale, matje teknike me aparatura, rillogaritje etj. Çdo opinion gazetaresk i specialistit nuk ndihmon për situatën e krijuar.
Do të mendoja që institucionet qeveritare të miratojnë kushtet teknike që mungojnë aktualisht, të hartojnë ligje të forta për të disiplinuar ndërtimet, të investojnë në pajisjet laboratorike në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe në Institutin e Sizmikës. Duke marrë shkas nga kjo ndodhi, nuk duhet harruar vëmendja edhe për rivlerësimin e digave dhe urave. Këto do të do të shërbejnë për të rritur shumë sigurinë e jetës së ndërtimeve dhe njerëzve.
(Marrë nga Gazeta Shqiptare)