Mbrëmjen e djeshme në pjesën e tretë të emisionin “Stop” në Tv Klan, u trajtua rasti i rëndë i dy të miturve të mbetur jetimë, duke bërë një apel për t’iu siguruar një shtëpi ku të jetojnë.
Nadja dhe Faik Molla janë vetëm 12 dhe 10 vjeç, por fatkeqësitë i kanë përplasur fort në jetë. Babai i tyre humbi jetën gjatë një aksidenti në punë, duke i lënë ata jetimë.
Nëna, me probleme në zemër, shkoi në Gjermani për kurim, por atje humb jetën duke i lënë fëmijët në një azil emigrantësh. Edhe pse të mitur, fëmijët u vunë në dilemën nëse do të qëndronin në Gjermani për t’u birësuar apo të ktheheshin në Shqipëri, për të jetuar me gjyshërit.
Ata zgjodhën gjakun e tyre… Gjyshja e tyre tregon se banojnë sa në një shtëpi me qira në tjetrën, me kushte të vështira e me orendi të falura.
“Stop”, Elvis Naci dhe “Shqiptarët për shqiptarët” bëjnë apel për t’i siguruar një shtëpi Nadjas dhe Faik Mollës.
Gjyshja e fëmijëve: Unë quhem Rraime Molla, vijmë nga Skrapari. U martuan të dy, u lidhën… nusja ishte me zemër e lindur, e kishte vuajtur nëpër spitale. Deri sa u lidh me çunin tim kishte bërë tre ndërhyrje. Në kohën që mbeti shtatzënë me gocën po e vuante këtë pjesë.
Shkonte shpesh bënte vizita, bënte kontrolle tek doktoresha që ishte lidhur. Megjithatë lindi goca, me shumë probleme, nuk e lindi dot këtu e morëm me urgjencë e çuam në Tiranë, atje qe një rrezik i madh për jetën e saj, ia hodhi shpëtoi.
Pastaj ndodhi ajo e çunit, në një moment shumë të vështirë për ne, se dhe këta ishin me qira, se dolën si çift i ri.
Në 5 maj të 2009 në ora 8 të mëngjesit, nuk kishte ardhur atë natë në shtëpi. E prisnin të vinte, gjithë natën e kemi kërkuar. Në 8 të mëngjesit u gjet atje, aksident në punë. Ajo ka qenë një bombë e madhe për ne, e pallogaritshme.
Nusja ishte shtatzënë me çunin, 6 muajshe e gjysmë.
Vajza: Unë kam qenë 8 vjeç kur kemi ikur në Gjermani, mami do të kurohej atje se ishte sëmurë me zemrën, prandaj shkuam.
Gjyshja e fëmijëve: Aty i bënë ndërhyrjen e parë se u bë keq, i ra trombozë, u bllokua e gjithë, i vunë aparat, një herë aparati nuk funksionoi, ia vunë prapë…
Vajza: Kur sëmurej mami, i thosha unë ose vëllai njerëzve që punonin aty që të lajmëronin ambulancën dhe pastaj vinte e merrte, ne nuk na lenin dot vetëm aty.
Atë e vunë në gjendje kome, unë thashë se do shërohej prapë.. edhe na çuan në shtëpi të fëmijës mua dhe vëllain, ndenjëm 8 ditë.
Gjyshja e fëmijëve: Pas 8 ditësh kishte reaguar pak, kishte lëvizur pak gishtat, i kishte rrjedhur një pikë lot… Atë pasdite pastaj dha shpirt.
Vajza: E mbaj mend ashtu si ishte, e bukur, e mirë, e dashur dhe kujdesej për ne.
Gjyshja e fëmijëve: Ata që kur kanë lindur nga barku i nënës, me qira kanë jetuar. Kërkoj një shtëpi që dhe ata të sistemohen, të gëzojnë, të rriten se ne jemi moshatar, sot jemi nesër nuk jemi, por i lutem Zotit të paktën sa të bëjnë nga 20 vjeç që të marrin pak drejtim vetë.
Djali: Dëshira ime është që nëna dhe gjyshi të kenë një jetë të mirë, të mos lodhen më, të kenë një shtëpi për vete që të çlodhen ata të dy, se janë torturuar ato katër muaj.