Qeveria ka hartuar projekt-buxhetin e vitit 2020, i cili duket se është shumë i shtrënguar.
Projekt-buxheti i vitit të ardhshëm reflekton mungesë të politikave sociale dhe ulje të shpenzimeve kapitale.
Adrian Civici, Dekan i Fakultetit Ekonomik në Universitetin Mesdhetar, bën një analizë të detajuar të draftit.
“Nuk duket që ky buxhet të reflektojë projekte të mëdha të infrastrukturës ose projekte të tjera sociale dhe faktikisht kemi ende një gropë të madhe shtetërore përsa i përket sistemit të pensioneve dhe ndihmave sociale. Njëkohësisht nuk ka rritje pagash qoftë për sektorin publik, por edhe për pensionistët dhe ndihmat sociale që ata marrin, gjë e cila tregon një lloj buxheti të shtrënguar, në pamundësi për të ndërmarrë politika sociale, që nga krahu tjetër do sillnin rritjen e konsumit.”.
Të njëjtin mendim ndan edhe ekspertja Elona Shehu, duke thënë se më së shumti qeveria ka menduar për të ulur nivelin e borxhit dhe për t’u kujdesur për defiçitin.
“Ky buxhet i vitit 2020 është i tillë, që është kujdesur të ruajë brenda atyre parashikimeve që ka për të ulur borxhin publik, pra është përpjekur që të ruajë deficitin buxhetor brenda disa limiteve të përcaktuara nga ligji, sesa të nxisë disa sektorë të ekonomisë dhe të vërë konsumatorin në të njëjtat kushte me vitet e kaluara, pra minimalisht të paktën ta indeksojë pagën e një konsumatori, në mënyrë që ai të konsumojë të njëjtën shportë me vitin më përpara.”
Adrian Civici shprehet se objektivi për rritjen ekonomike në 4.1% nuk shoqërohet me analiza konkrete.
“Ajo që ne vazhdojmë ta kemi të metë kryesore, është se parashikimet për rritje ekonomike nuk i shoqërojmë asnjëherë me analiza konkrete strukturore nga do vijë kjo rritje, nga cilat sektorë, sipas të cilave politikave dhe sipas të cilave efekteve. Nëse kemi një tregues të rritjes ekonomike super optimist të situatës ku jemi, kjo mund të shkaktojë të njëjtat probleme si në vitin 2011, pra vështirësi në mbledhjen e të ardhurave, vështirësi në mbledhjen e TVSH-së, apo nëse ka një tkurrje të importeve dhe eksporteve, sigurisht edhe kjo ka ndikim në buxhet.”, shkruan “Scan”.
Qeveria ka parashikuar që defiçiti buxhetor për vitin e ardhshëm të jetë në nivelin 1.6% dhe borxhi publik në 62.2%.