Tashmë prej disa ditësh Shqipëria është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe ulje të temperaturave.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës ka paralajmëruar të gjithë qytetarët që të bëjnë kujdes në tre ditët në vijim pasi do të ketë reshje të shumta dhe përmbytje.
Në një njoftim zyrtar ministria shkruan se institucionet në varësi të saj kanë kaluar në gjendje gatishmërie të plotë, pasi reshjet më të dendura priten nga mbrëmja e së mërkurës dhe përgjatë gjithë ditës së enjte.
Ndërkohë të premten dhe të shtunën njoftohet se intensiteti do të vijë duke u ulur.
Sipas njoftimi të ministrisë, duke ju referuar Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore dhe IGJEUM-it, në tre ditët në vijim do të ketë reshje shumë intensive të cilat do të rrisin rrezikun e përmbytjeve në të gjithë territorin.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës:
MIE dhe institucionet e varësisë në gatishmëri të plotë për të përballuar situatat që mund të krijohen nga moti i keq i 3 ditëve të ardhshme
Nisur nga raportet e Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, të cilat flasin për një mot shumë të vështirë, me reshje të dendura, erë të fortë dhe rreziqe për përmbytje në tre ditët në vijim, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucionet e saj të varësisë kanë kaluar në gjendje gadishmërie të plotë.
Sipas parashikimeve priten reshje shumë intensive (më shumë se 90 mm/ 24 orë) në pothuajse të gjithë territorin, gjatë natës së të mërkurës dhe gjithë ditën e enjte. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin.
Ditën e premte, datë 8 nëntor, pritet një rënie e intensitetit të reshjeve në të gjithë vendin, të cilat do të arrijnë nivelin 45-90 mm/24 orë, ndërsa ditën e shtunë datë 9 nëntor priten reshje të dobëta në të gjithë vendin 15mm/24 orë.
Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se përgjatë fundit të ditës së mërkurë për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve do të rritet rreziku për përmbytje vërshuese në të gjithë vendin.
Në këto kushte të gjitha institucionet e varësisë së MIE janë duke marrë masat e duhura për të siguruar shërbimet bazë ndaj qytetarëve si dhe për t’u ardhur atyre në ndihmë në çdo rast që do të kenë nevojë.