Mazhoranca nuk tërhiqet nga kërkesa për të shkarkuar Ilir Metën, edhe pasi Komisioni i Venecias publikoi raportin final nëse presidenti i Republikës e kishte shkelur apo jo Kushtetutën me zhdekretimin e datës së zgjedhjeve.
Me anë të një deklarate për mediat, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla u shpreh se Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës duhet të vazhdojë të kryejë detyrën brenda afatit që i ka vendosur Kuvendi.
Në momentin që Balla u pyet se nëse mazhoranca e ka gati një emër tjetër për kandidat që mund të zëvendësojë Metën, ai u përgjigj se nuk është menduar akoma se kush do të jetë pasardhësi.
Ndër të tjera Balla shtoi se fjalën e fundit për të vendosur se nëse Meta do të shkarkohet apo jo e ka Gjykata Kushtetuese.
“Kuvendi është një prej hallkave në proces, Kushtetuesja është ajo që thotë fjalën përfundimtare. Padyshim opinioni i Venecias ka konkluduar se kemi të bëjmë me shkelje të kushtetutes ne veprimin e Presidentit. Kuvendi siç thotë edhe Venecia, do të vlerësojë nëse shkelja është e rëndë sipas nenit 90 e më pas vlerësimin e saj e bën vetëm Gjykata Kushtetuese.
Komisioni duhet të kryejë punën e caktuar, pas afateve që i është vënë nga Kuvendi. Kam qenë një nga 55 firmëtarët që kanë kërkuar shkarkimin e Metës. Komisioni i Posaçëm Hetimor që po heton presidentin ka një plan hetimor dhe ka dëgjuar personin nën hetim. Ka marrë ose do të marrë edhe opinionin përfundimtar dhe do të dalë në përfundim me konkluzionin përfundimtar. Fjalën e fundit e thotë Gjykata Kushtetuese. Certifikimin e saj e bën vetëm ky institucion. Nuk kemi menduar pasardhës për presidentin Meta”, u shpreh Balla.