Ashtu sic njoftoi dje, ditën e sotme deputetja Rudina Hajdari ka dalë në një konferencë për shtyp përpara mediave ku ka folur edhe në lidhje me shkarkimin e saj si kryetare e Grupit Parlamentar Demokrat.
Me tone të ashpra, Hajdari ka hedhur akuza në drejtim të 3 deputetëve: Alban Zeneli, Korab Lita dhe Arben Elezi, për të cilët u shpreh se e kanë bërë këtë veprim për të sabotuar Reformën Zgjedhore.
Ajo ndër të tjera shtoi se ky plan ndihmon kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, të cilët i akuzoi se po mundohen të shmangin vëmendjen nga hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
“Në fakt kjo është një histori që ndihmon Edi Ramën dhe Lulzim Bashën. Ndihmon Edi Ramën se shmang vëmendjen për hapjen e negociatave. Shmang vëmendjen nga tre persona që po mundohen të sabotojnë Reformën Zgjedhore dhe këtu dalim tek Lulzim Basha. Tentativë që të spostohet roli im.
Ne na intereson që të hapen negociata, nëse jo e dini shumë mirë se kush është fajtor. Rama dhe Basha. Këta persona që kërkojnë spostimin tim, nuk kanë dhënë asnjë kontribut në parlament. Kjo ishte një tentativë e imponuar dhe e programuar shumë mirë nga këta tre persona, Korab Lita, Alban Zeneli dhe Arben Elezi. Këta tre persona nuk ka për ta shkatërruar opozitën, pavarësisht se po ndodh nga jashtë. E kundërta, do të forcohemi akoma më shumë, kemi një qëllim të vetëm për ndryshimin e sistemit. Ju e dini kush janë, Basha dhe Rama”, tha Hajdari gjatë konferencës.