Ditën e sotme Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KLP) ka marrë vendimin për të shkarkuar nga detyra prokurorin e Tiranës, kandidat për SPAK, Ndini Tavani.
Përsa i përket pasurisë, më herët ILDKPKI kishte dorëzuar një raport ku thuhej se deklarimi i prokurorit ishte i saktë dhe në përputhje me ligjin.
Por në seancën e kësaj të hëne, Komisioni njoftoi se kishte bërë një hetim më të thelluar për pasuritë e subjektit në fjalë.
PASURIA
Prokurori ka në pronësi një apartament në Tiranë, në vlerën 4 milionë e 500 mijë lekë. Burimi i të ardhurave janë pagat e tij dhe të bashkëshortes, si dhe të ardhurat e tij si avokat, para nisjes së detyrës. Për këtë pasuri, KPK konstatoi se deklarimet përputheshin dhe nuk ka probleme në vërtetësinë e tyre. Por dyshime janë ngritur në lidhje me burimin e kësaj pasuri. Të ardhurat e deklaruara nga avokatia, Komisionit i kanë rezultuar më pak se ç’ka deklaruar subjekti.
Komisioni është duke shqyrtuar dokumentet dhe pretendimet e subjektit për këtë pasuri. Pasuria e dytë që ka deklaruar është një makinë “Citroen”, e blerë në 2016 për 900 mijë lekë. Nga hetimi i kryer për këtë pasuri nuk janë konstatuar problematika për deklarimet, sa i takon mënyrës së blerjes dhe pagesën. Ndërkohë, nga ana financiare ka rezultuar se subjekti ka qenë në pamundësi financiare për kryerjen e këtij shpenzimi. Pasuria e tretë e analizuar është një tjetër makinë tip “Benz”, e blerë në vitin 2009 për 7 mijë euro, të shitur në vitin 2016.
“Nga hetimi dhe përllogaritjet e kryera, dukej se nuk ka pasur mundësi financiare për blerjen e kësaj pasurie, si dhe të përballojë shpenzimet e tjera”, tha relatorja. Në sitë kanë kaluar edhe të ardhurat e prindërve të prokurorit, si dhe investimi i tij në një banesë, në të cilën është bashkëpronar me ta.
FIGURA
Në lidhje me pastërtinë e figurës, fillimisht Drejtoria e Sigurimit t Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar një raport me konstatimin se prokurori nuk ka kontakte të papërshtatshme dhe është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Por, në një raport të dytë, DSIK ka sjellë një raport ku konstatonte papërshtatshmërinë në detyrë dhe ngrinte dyshime edhe për shpërdorim detyre në lidhje me një çështje.
Vetë Ndini Tavani e ka konsideruar si tejkalim të kompetencave raportin e DSIK dhe që është bërë për rëndimin e pozitave të tij. Prokurori ka dorëzuar të gjithë dosjen dhe punën për këtë çështje, deri në dërgimin në gjyq. “KPK do të marrë parasysh shpjegimet dhe provat e dorëzuara nga subjekti”, tha relatorja.