Një ditë pas fjalimit të ashpër të kryeministrit Edi Rama në Kuvend, ku lëshoi deklarata të forta kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve duke i cilësuar si “KÇK- Kap ça të kapësh”, dhe se janë grupi më i madh kriminal në vend, ka ardhur dhe reagimi i Unionit të Gjyqtarëve.
Me anë të një deklarate të përbashkët Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shprehen se po përcjellin me shqetësim qëndrimet e ditëve të fundit nga përfaqësues të lartë të politikës ndaj gjyqtarëve.
Ata i konsiderojnë këto sulme si kërcënim të pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe cënim të parimit të ndarjes së pushteteve.
Ndër të tjera ata kërkojnë hapur që Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe partnerët ndërkombëtarë të mbajnë një qëndrim zyrtar për këto sulme.
DEKLARATA E PLOTE E SHOQATES KOMBETARE TE GJYQTAREVE DHE UNIONIT TE GJYQTAREVE
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë përcjellin me shqetësim qëndrimet e ditëve të fundit nga përfaqësues të lartë të politikës ndaj gjyqtarëve. Shoqatat e gjyqtarëve kanë mirëpritur çdo adresim të problematikave që lidhen më gjyqësorin në forumet e duhura, sikurse kanë dënuar çdo veprim apo mosveprim të kryer nga gjyqtarë të caktuar në shkelje të misionit të tyre, duke zgjedhur për këtë rrugën e përcaktuar nga Kushtetua dhe ligjet në Republikën e Shqipërisë.
Qëndrime të tilla të përsëritura nga funksionarë të ekzekutivit, jo vetëm që nuk i shërbejnë raporteve ndërinstitucionale por janë një kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke minuar ndërkaq besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Parimi i ndarjes së pushteteve qëndron në themel të demokracisë sonë kushtetuese dhe presupozon që asnjë pushtet nuk është epror ndaj tjetrit. Shoqatat tona janë të hapura për individualizimin e çdo shkeljeje ligjore në veprimtarinë e gjyqtarëve apo problematikave në tërësi në sistemin e drejtësisë dhe kanalizimin e tyre në institucionet përkatëse, në formën e sanksionuar nga legjislacioni në fuqi.
Organizmat përfaqësuese të gjyqtarëve, që në fillimet e proçesit të reformës në sistemin e drejtësisë kanë shprehur mbështetjen e tyre të pakursyer për këtë reformë, duke kontribuar në mënyrë aktive, me qëllim arritjen e një produkti sa më cilësor. Ndërsa qendrimet agresive e të adresuara gabim, në kohën e zbatimit të një reforme kaq të thellë për sistemin, sjellin pasoja të dëmshme për reformën. Së fundi, Shoqata Kombëtare dhe Unioni i Gjyqtarëve dëshirojnë të ftojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor, si institucioni i ngarkuar me garantimin e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së pushtetit gjyqësor si dhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të palodhur për konceptimin dhe vënien në jetë të reformës në drejtësi, për të mbajtur qëndrimin e tyre në lidhje me sjelljet shfaqura kohët e fundit.