Ditën e sotme ka rënë në prangat e policisë së Durrësit Elvis Gaçaj, një nga të akuzuarit për vrasjen e ish-policit Santiago Malko në kryeqytet.
Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e arrestimit të Elvis Gaçajt, pjesë e klanit Duka.
Së bashku me Gaçajn është arrestuar edhe një person tjetër, Klajd Drizaj me precedent të mëparshëm penal.
Pas marrjes së informacionit se këta persona lëviznin me armë zjarri pa leje, policia ka nisur operacionin e koduar “Taulantia”.
Gaçaj dhe personi tjetër, kanë refuzuar të ndalojnë në postbllokun e ngritur nga policia, duke mos pranuar që t’i nënshtroheshin kontrolleve. Personi që shoqëronte Gaçajn, ka hedhur armën e zjarrit, një pistoletë CZ Ceke, dhe ka tentuar që të largohet. Pasi janë arrestuar, atyre iu janë gjetur dhe sekuestruar, arma e zjarrit pa leje, fishekë dhe makina tip BMË.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Durrës/ Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri pa leje. Gjatë operacionti policor të koduar “Taulantia”, Policia kap dhe arreston dy persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje. Njëri prej tyre, i cili kishte dhe armë zjarri me vete ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për armëmbajtje pa leje. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe Komisariati i Policisë Durrës, në vijim të planit për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga Strukturat Policore se dy shtetas lëviznin me një automjet me armë zjarri me vete kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Taulantia”. Shërbimet e Policisë në rrugën “Taulantia” kanë bërë të mundur identifikimin e mjetit që lëviznin presonat e dyshuar, automjet i cili kryente manovra të dyshimta në rrugë.
Duke marrë parasysh informacionin e marrë se në këtë mjet mund të kishte persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Policia ka ngritur një perimetër të gjërë rrethimi për kapjen e tyre. Drejtuesi i automjetit sapo ka parë Policinë është larguar me shpejtësi së bashku me pasagjerin dhe gjatë largimit pasagjeri, i cili ishte dhe me masë sigurie “Arrest në shtëpi” ka hedhur në rrugë një armë zjarri pistolete me fishekë. Pololicia ka bërë të mundur bllokimin, neutralizimin dhe kapjen në flagrancë të shtetasve E. G., 44 vjeç, banues në Tiranë dhe K. D., 34 vjeç, banues në Durrës. Shtetasi E.G., pasagjer në mjet është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar më parë për veprat penale kundër personit dhe për armëmbajtje pa leje.
Gjithashtu ka qenë në masë sigurie ” Arrest në shtëpi” për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Ndaj tij janë referuar materialet në Prokurori për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Shtetasi K. D. është person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe armëmbajtje pa leje. Ndaj tij janë referuar materialet në Prokurori për veprat penale “Moskallëzimi i krimit “dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë CZ çeke, dy krehëra me 26 fishekë kalibër 9 mm dhe automjeti tip BMW. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.