Ata që hynë të parët në një treg që ishte i uritur për çdo produkt ia dolën të rriten me shpejtësi. Tashmë kur konkurrenca është shtuar dhe tregu është maturuar, sipërmarrësit më të mëdhenj në vend, që i mbijetuan viteve të tranzicionit po zgjerohen dhe po diversifikohen.
200 kompanitë më të mëdha qarkulluan në vitin 2018 rreth 8.4 miliardë euro, ose rreth 65% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në raport me një vit më parë, qarkullimi i 200 VIP-ave është rritur me 9.2%. Por më shumë se një zgjerim të aktivitetit ekonomik në përgjithësi, kjo tendencë lidhet me rritjen e aktivitetit të nënkontraktorëve të TAP, që ishte në kulmin e ndërtimit, performancën e mirë të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, të ndikuar nga moti me reshje dhe shtimin e xhiros së tregtuesve të naftës, të lidhur me koniunkturën e çmimeve të karburanteve.
Përkundrejt rritjes së të mëdhenjve, kufiri i qarkullimit vjetor i subjekteve që kanë hyrë tek 200 më të mëdhenjtë, ishte pak më i ulët se i një viti më parë, pra në renditje kanë hyrë biznese që kishin të ardhura më të ulëta se në 2017. (Sipërmarrja e klasifikuar në vendin e 200, vjet kishte 1.6 miliardë lekë të ardhura, nga 1.5 miliardë lekë, që ishte kufiri këtë vit).
Në fuqizim janë dhe dy grupet më të mëdha në vend “Kastrati” dhe “Balfin”, që duket se kanë krijuar ekonominë e nevojshme të shkallës, për t’u rritur në një mjedis me konsum relativisht të dobët.
Kastrati
Grupi Kastrati është tregtuesi më i madh i karburanteve në vend, ka aktivitet në fushën e sigurimeve dhe të tregtimit të automjeteve dhe së fundmi po diversifikon aktivitetin dhe në fushën e ndërtimit. Qarkullimi vjetor i grupit i afrohet 86 miliardë lekëve (675 milionë eurove) në 2018-n, duke shënuar vitin më të mirë historik, pas një rritjeje të të ardhurave me 35%.
Dy kompanitë kryesore të grupit, Kastrati sh.a. (tregtuesi me shumicë i naftës) dhe Kastrati sh.p.k. (tregtuesi me pakicë), kishin të ardhura të kombinuara prej 78 miliardë lekësh, me rritje 34%, të ndihmuara nga koniunktura e favorshme e çmimeve dhe ndërprerja e përkohshme e aktivitetit të prodhuesit vendas, ARMO.
Në sigurime, “Alb Siguracion” ka zgjeruar të ardhurat me 20%, në gati 2.4 miliardë lekë. Edhe kompania tjetër e grupit, “Auto Star Albania”, përfaqësuesi zyrtar i “Mercedes-Benz” në Republikën e Shqipërisë, ka rritur të ardhurat me 28.5% në 2.6 miliardë lekë, duke kaluar në tregtuesin më të madh të automjeteve në vend sipas qarkullimit vjetor.
Një kompani e re e grupit është “Tenet”, me aktivitet në transportin dhe tregtimin me shumicë të naftës e gazit, e krijuar në fillim të 2017-s, raportoi 3.3 miliardë lekë të ardhura në vitin e dytë të aktivitetit.
“Viti 2018, padyshim, ka qenë më i suksesshmi për “Kastrati Group”. Të gjitha kompanitë e grupit, pa përjashtim, kanë shënuar rritje të kënaqshme të performancës dhe qarkullimi vjetor arrin në mbi 650 milionë euro. Prej vitesh jemi lider në sektorin e energjisë dhe tregtimit të hidrokarbureve me shumicë dhe pakicë. Kemi investuar me sukses në 12 sektorë të rëndësishëm dhe gjatë 2018-s kemi rritur praninë tonë dhe në sektorë të tjerë”, pohon Zëvendëspresidenti i “Kastrati Group”, z. Leonard Kastrati.
Në total, investimet e planifikuara dhe që po realizohen të grupit, në vend, kryesisht për projekte ndërtimi, hoteleri, portin e hidrokarbureve, arrijnë në rreth 180 milionë euro.
Balfin
Grupi Balfin, me interesa në tregti me pakicë, qendra tregtare, ndërtim, turizëm, miniera, banka, ka kaluar i dyti më i madhi sipas qarkullimit vjetor. Burime zyrtare nga grupi pohuan se Xhiroja vjetore e Grupit për vitin 2018 ka qenë 580 milionë euro, me një rritje prej 24%, ku përfshihen dhe aktivitetet jashtë Shqipërisë.
Pjesë e Grupit Balfin janë Qendrat Tregtare TEG dhe QTU, kompania “AlbChrome”, “Mane TCI”, “Green Coast Luxury Resort”, “Vala Mar Residences”, “Tirana Logistic Park” – i vetmi park logjistik në Shqipëri, rrjeti i dyqaneve “Neptun” në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni; “Jumbo” në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë; rrjeti i dyqaneve “SPAR Albania”, “Fashion Group” etj.
Kompania më e madhe e grupit është “Albchrome”, me xhiro 11.2 miliardë lekë në 2018-n; e ndjekur nga “Neptun”, me 7.2 miliardë lekë; “Spar Albania” me 6.3 miliardë lekë; “Mane TCI” me 6.3 miliardë lekë; “Kid Zone” (Jumbo), me 2.1 miliardë lekë të ardhura. Për të gjitha shoqëritë e grupit, që renditen në listën e 200 më të mëdhenjve, të ardhurat janë rritur me 21.5% në 2018-n, duke vijuar për të dytin vit radhazi me zgjerim dyshifror. Përveç Shqipërisë, Grupi Balfin ka prani në rreth 10 shtete të botës.
“Grupi “Balfin”, çdo vit, është në përmirësim të performancës së portofolit të investimeve, kjo falë ekspansionit dhe optimizimit të shpenzimeve operacionale. Edhe viti 2018 ka qenë një nga vitet me performancën më të mirë, me një rritje prej 24% krahasuar me një vit më parë, sidomos në sektorin e tregtisë me pakicë në të gjithë kategoritë, në sektorin minerar etj”, thotë Z. Samir Mane, presidenti i Grupit “Balfin”.
Çalik Group
Grupi turk, Çalik, që zotëron dy kompani të mëdha në vend, BKT e “Albtelecom”, është një ndër më të mëdhenjtë në vend dhe ka realizuar një xhiro të kombinuar prej rreth 27 miliardë lekësh në 2018-n (rreth 212 milionë euro).
Grupi Agna
Dy kompanitë kryesore të grupit, “Agna sh.a.” (shpërndarës produktesh dhe investues) dhe “Alfa sh.a.” (ambalazhues i “Pepsi”, “Ivi”, “7Up”, “Lipton Ice Tea”; prodhues i “Glina” dhe “Spring”; shpërndarës i “Heineken”, “Amstel”, “Alfa Beers”, “Tsantali Wines” dhe “Shark Energy Drink”), realizuan për vitin 2017 një xhiro prej rreth 25.2 miliardë lekësh, me rritje prej 2% në raport me vitin e mëparshëm.
Grupi Infosoft
Kompanitë kryesore të Grupit Infosoft kanë realizuar në total një xhiro prej rreth 19.6 miliardë lekësh në aktivitetin në Shqipëri në vitin 2018, me rritje 2%, në raport me vitin e mëparshëm. Aktiviteti i tij kryesor në Shqipëri përfshin Infosoft System, Infosoft Office, në fushën e teknologjisë së informacionit, si dhe kompanitë e shpërndarjes e tregtimit në segmentin FMCG, “Inter Distribution Service”, “Interbrands” dhe “Inter Trade & Distribution” (51% të aksioneve, pasi në fund të vitit 2016, 49% të kuotave të ITD iu shitën grupit Balfin).
Grupi Finman
“Finman” është grupi më i madh i ndërtimit në vend. U krijua si holding në vitin 2016 dhe përfshin disa prej sipërmarrjeve me të mëdha në fushën e ndërtimeve dhe materialeve të ndërtimit. ALB – STAR është kompania më kryesore e grupit dhe më e hershmja si dhe më e madhja me kapital shqiptar, me aktivitet në ndërtime civile, industriale. Të ardhurat e saj ishin 7.6 miliardë lekë.
Me kalimin e viteve, grupi është zgjeruar dhe më tej. APM, me aktivitet prodhim dhe tregtim i materialeve të ndryshme metalike, raportoi të ardhura prej 2.6 miliardë lekësh, në dyfishim me vitin e mëparshëm. “Vibtis”, me tregtimin me shumicë dhe pakicë të materialeve inerte, kishte 2.6 miliardë lekë të ardhura. Në total, tre kompanitë kryesore të grupit qarkulluan 12.8 miliardë lekë, me zgjerim 2% me bazë vjetore.
Grupi Big Market
Big Market është grupi më i madh në vend me aktivitet në zinxhirin e supermarketeve. Përmes dy kompanive kryesore të tij, Big Market dhe Tirana Cash and Carry të ardhurat totale arritën në 17 miliardë lekë në 2018-n.
“Viti 2018, ashtu si dhe vitet e mëparshme, ka qenë me një rritje të kënaqshme, falë edhe emrit të krijuar dhe numrit të pikave në rritje. Ecuria pozitive lidhet edhe me politikat që ne zgjodhëm në vitin 2018, që na rezultuan shumë efikase. Ne vijuam zgjerimin me pika të reja si për shembull në Korçë dhe në Elbasan, të cilat sollën rezultate pozitive”, thotë Z.Ilir Saliaj, Presidenti i Big Market.
Grupi EHW
Grupi EHW është ndër më të mëdhenjtë në vend me aktivitet të përqendruar në industrinë përpunuese, si përpunimi i mishit (marka EHW), prodhimi i ujit (marka “Qafështama”) dhe vitet e fundit është zgjeruar dhe në zinxhirin e supermarketeve me aksione në “Conad”.
Në total, grupi EHW, që përfshin dhe subjektet e tjera të grupit në industrinë përpunuese raportoi një qarkullim vjetor prej 5 miliardë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e kaluar, sipas të dhënave nga bilanci i konsoliduar./ Monitor.al