Analisti Besnik Mustafaj ka folur gjerësisht për reformën zgjedhore, platformën e propozuar nga opozita dhe reagimet e kryeministrit Edi Rama në studion e News24, në rubrikën “Opinion”.
Mustafaj tha se të dyja palët si opozita ashtu dhe maxhoranca nuk janë të sinqerta, por duke i lënë përgjegjësinë më të madhe shumicës qeverisëse.
Megjithatë, Mustafaj tha se opozita nuk duhet të jetë arrogante dhe duhet të pranojë realitetin. Sipas tij, opozita nuk duhet të dalë jashtë rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
“Është një lojë me pretekste shumë që do të thotë se të dyja palët nuk e duan një dialog të sinqertë dhe një bashkëpunim të sinqertë.
Përgjegjësia kryesore gjithmonë mbi maxhorancën, asnjëherë përgjegjësia kryesore nuk bie mbi opozitën. Kjo është një aksiomë e realiteteve të demokracisë. Kryeministri flet pa dhënë përgjigje në detaje. Kryeministri për të qenë bindës ndaj shqiptarëve, për të treguar që është serioz, për të treguar që me të vërtetë e do këtë dialog në emër të reformës zgjedhore sepse reforma zgjedhore është e pakapërcyeshme në kushtet e vëna nga Gjermania për çeljen e negociatave, do duhej t’i merrte një nga një dhe t’i jepte përgjigje qoftë edhe në distancë. Që kjo bëhet, kjo nuk bëhet për këtë arsye, sepse kjo është shprehja e vullnetit pozitiv. Por kryeministri me një të rënë të lapsit, i hedh poshtë, çka tregon se ai në thelbin e tij nuk e dëshiron bashkëpunimin me opozitën sepse e di që ky bashkëpunim do të ishte në disfavorin e tij përballë detyrimeve të BE-së, në kuptimin që ai nuk i bën dot, nuk i plotëson dot, nuk ka vullnetin e duhur dhe as ekspertizën për t’i plotësuar kushtet që kërkon BE-ja, të formuluara nga Bundestagu gjerman. Nga ana tjetër opozita nuk mundet të vërë ultimatume për t’u ulur në tryezë me maxhorancën për këtë reformë konkrete. Pra, opozita duhet ta kuptojë se është në opozitë dhe në të gjitha realitetet demokratike opozita kërkon 10 gjëra kur i plotësohen 3 ose 4 është një opozitë që i ka arritur qëllimet e veta. Shqiptarët ose në çdo realitet demokratik, opinioni ka votuar për të marrë përgjegjësinë atë që është në pushtet. Këtë gjë opozita nuk duhet ta harrojë kurrë dhe nuk duhet të sillet me arrogancë si maxhoranca. Ky për mua është realiteti që shohim”, deklaroi Mustafaj.
Ai tha se krizën nuk e zgjidh reforma zgjedhore, por se fillimin e zgjidhjes së krizës e shënojnë zgjedhjet e reja.
“Por është thënë dhe përsëritur që në zgjedhjet e reja nuk mund të shkohet pa realizuar një reformë zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR, rekomandime që janë tashmë me një inventar të gjerë sepse kanë rrjedhur nga disa palë zgjedhje. Nuk janë të lidhura vetëm me zgjedhjet e fundit, qofshin ato që u zhvilluan më 30 qershor, qofshin ato që u zhvilluan para 2 vitesh për parlamentin. Në këtë kuptim, tani ka një almanak rekomandimesh, të cilat duhet të merren një për një në tryezë nga komisioni për reformën zgjedhore dhe të shihet çfarë është e realizueshme, çfarë është e tejkaluar, po të kemi parasysh që ka rekomandime që në vitin 2011 që nuk janë zbatuar dhe çfarë duhet bërë në kontekstin e ri. Unë besoj se opozita nuk duhet të dalë jashtë rekomandimeve të OSBE-ODIHR, ato janë mjaft, ose pastaj opozita të paraqesë një platformë reale e cila duhet të jetë për mendimin tim, ndryshimi i sistemit. Mbi tavolinë nuk është ndryshimi i sistemit, të gjitha ato janë teknike. Duhet ta propozojë, në mënyrë që t’i mbetet përgjegjësia maxhorancës. Shumica e opinionit shqiptar sot në të gjitha matjet del se e duan ndryshimin e sistemit zgjedhor. Pra, nuk ka sinqeritet nga të dyja palët por përgjegjësia kryesore i bie kryeministrit dhe ekipit të tij”, u shpreh ai.
Për Mustafajn, në zgjedhjet e 2017 PS ka fituar më shumë vota se PD, ndaj sipas tij, opozita duhet të sillet me seriozitetin që i takon.
“Opozita nuk mund të sillet me arrogancë, opozita do të sillet me atë përulësi që i kanë caktuar votuesit, zgjedhësit. Përtej faktit që zgjedhjet e 2017 janë manipuluar, janë vjedhur, PS ka fituar më shumë vota se PD, kjo mbetet bindja ime e thellë, ndaj opozita duhet të sillet me seriozitetin që i takon si opozitë që kërkon ndryshimin e gjërave që merr parasysh realitetin, që ajo është në opozitë dhe të kërkojë gjëra që janë të realizueshme, pa arrogancë. Unë jam kundër arrogancës.
Ky komision është parlamentar dhe është jashtëparlamentar, sepse në formulën e sugjeruar nga ndërkombëtarët, thuhet se bashkëkryetari do të jetë i opozitës që nuk është më në parlament dhe do të ketë të njëjtat e drejta si kryetari që është përfaqësues i maxhorancës. Nga ana teknike kjo është e zgjidhur, mungon vetëm prania e opozitës në parlament për ta votuar”, deklaroi Mustafaj.
Ai theksoi se klasa politike duhet të na zgjidhë njëherë këtë krizën imediate, t’i sigurojë një vazhdimësi procesit demokratik në Shqipëri që fillon tek përfaqësimi, nuk është e përfaqësuar më së paku gjysma e popullsisë së Shqipërisë. “Duhet të krijohen kushtet që të shkohet sa më shpejt në zgjedhje të parakohshme, përgjithshme dhe për pushtetin vendor që shqiptarët ta shohin veten të përfaqësua. Këtu fillon zgjidhja e krizës më pas të gjitha reformat e tjera mund të zhvillohen më pas”, u shpreh Mustafaj./bw