Ditën e sotme Policia e Tepelenës ka arrestuar katër ish-zyrtarë të Shërbimit Spitalor në këtë qytet.
Ata akuzohen se kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme një shumë të konsiderueshme parash nga një tender fiktiv.
Urdhër-ndalimet janë kërkuar nga prokuroria e miratuar nga gjykata dhe janë ekzekutuar nga efektivët e sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë.
Ish-shefi i financës, specialisti i statistikës, ish-juristja dhe ish-specialistja e burimeve njerëzore në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë, akuzohen për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” në bashkëpunim, “Vjedhja në bashkëpunim” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
“Pas një pune të pandërprerë disamujore dhe veprimeve procedurale të ndjekura, në bashkëpunim me Prokurorinë u finalizua operacioni i koduar ‘Tenderi’, si rezultat i të cilit u dokumentua veprimtaria e kundërligjshme e shtetasve të mëposhtëm, të cilët u ndaluan gjatë operacionit për ekzekutimin e masave të sigurisë të lëshuara nga gjykata dhe konkretisht:
Gezim Allkushi, 35 vjeç, banues në Memaliaj (ish-shef finance në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë);
Sajmir Meçe, 31 vjeç, banues në Memaliaj (specialist statistike në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë);
Aleksandra Kaba, 31 vjeçe, banuese në Tepelenë (ish-juriste në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë);
Jonida Saka, 30 vjeçe, banuese në Tepelenë (ish-specialiste e burimeve njerëzore në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelenë).
Si dhe u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për shtetasen F.L., banuese në Selitë, subjekt privat në fushën e ‘Shërbimeve të konsonancave për ndikimin në mjedis’”, njoftoi policia.
“Ndalimi i shtetasve të mësipërm u bë pasi në vitin 2017 kanë zhvilluar tender fiktiv për pajisjen e spitalit në Tepelenë dhe Memaliaj me leje mjedisore duke përvetësuar një shumë të konsiderueshme lekësh”, shtuan të njëjtat burime.